Janari 2026 shënon 11 vjetorin e ndarjes nga jeta e Viktor Gashit, njërit prej veprimtarëve më të veçantë të Pejës, mjeshtër i zejeve tradicionale dhe figurë e përkushtuar ndaj kauzave kombëtare, kulturore e humanitare.
Viktor Gashi lindi më 9 shtator 1928 në Pejë, ndërsa ndërroi jetë më 10 janar 2015. – Ai u rrit në rrethana të vështira historike, në një kohë kur lufta dhe politika formësonin jetën e shumë të rinjve shqiptarë, e pikërisht këto rrethana e shtynë atë dhe bashkëkohësit e tij të angazhohen herët në veprimtari me karakter kauzal.
Vetëm 17 vjeç, Gashi përjetoi burgun politik, duke vuajtur një vit dënim, gjë që ndikoi drejtpërdrejt në ndërprerjen e shkollimit të tij, teksa më vonë u etiketua nga pushteti i kohës si “element trubullues”, çka e detyroi të ndërpresë studimet në Fakultetin Juridik në Beograd.
Pas kësaj, ai iu përkushtua zejës së argjendarisë, një traditë shekullore e familjes së tij, e megjithatë, zeja nuk e largoi nga jeta publike, pasi që Viktor Gashi u angazhua aktivisht në Teatrin e Pejës, ku ishte ndër veprimtarët dhe organizatorët kryesorë të kohës, duke kontribuar në jetën kulturore të qytetit.

Në periudhën 1965–1973, Gashi shërbeu si kryetar i komisionit për dhënien e diplomave profesionale për zejtarët shqiptarë në ish-Jugosllavi, në fushat e kujunxhisë, filigranit dhe përpunimit të arit, ndërkaq, gjatë viteve 1980–1984, ai ishte kryetar i Shoqatës së Zejtarëve të Pejës me rrethinë.
Pas luftës, në vitet 1999–2000, Viktor Gashi mori drejtimin e Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë” për regjionin e Pejës, duke kontribuar në ndihmën për familjet në nevojë në një periudhë të vështirë për vendin.
Trashëgimia e tij artistike është e jashtëzakonshme, pasi ai pati mbi 2 mijë punime artizanale, si dhe disa nga veprat e Viktor Gashit ruhen sot në Muzeun e Kosovës në Prishtinë, për shkak të vlerës së tyre të lartë artistike dhe historike, për çka në të kaluarën ka pasur edhe përpjekje nga pushtetet e atëhershme që këto vepra të paraqiteshin si krijime të shtetit serb.
Viktor Gashi mbetet një emër i rëndësishëm i Pejës, shembull i ndërthurjes së rezistencës qytetare, mjeshtërisë tradicionale dhe angazhimit të pandërprerë për shoqërinë./Pejanefokus.net./Imageofpeja.
