Më 15 janar 2026 shënohen 27 vjet nga Masakra e Reçakut, një nga krimet më të rënda gjatë luftës në Kosovë, që mbetet plagë e hapur në kujtesën kolektive.

Në mëngjesin e kësaj dite të vitit 1999, rreth orës 6:45 të mëngjesit, forcat serbe sulmuan fshatin Reçak të Shtimes, duke vrarë 45 civilë shqiptarë, përfshirë gra, fëmijë dhe pleq. Viktimat u gjetën në lokacione të ndryshme, duke tronditur opinionin vendor dhe ndërkombëtar.

Masakra u bë e njohur për botën pas reagimit të shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, i cili dokumentoi vrasjet dhe ngriti alarmin për krime të rënda kundër njerëzimit.

Pas gati një muaji, më 11 shkurt 1999, u organizua ceremonia e varrit të viktimave. Reçaku u shndërrua në simbol të vuajtjes dhe sakrificës së popullit të Kosovës dhe në një moment kyç për ndërgjegjësimin ndërkombëtar për realitetin e luftës.

Më 16 maj 2019, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën që krimet e kryera gjatë luftës cilësohen si gjenocid, duke përcaktuar 15 janarin si Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Serbisë në Kosovë./Pejanefokus.net.
