Siç ka raportuar Peja në Fokus, në mëngjesin e së dieles shetitorja afër Lumbardhit në Pejë është shembur, ndërsa sot kemi kuptuar se kjo kishte pasuar pasi një qytetar kishte shkelur mbi kocka dhe kishte rënë papritur poshtë.
Shefqet Berisha, viktimë e këtij rasti ka hapur dyert për redaksinë tonë, duke rrëfyer ngjarjen ekskluzivisht për lexuesit e portalit të Peja në Fokus.
“Kam dalë qysh dal zakonisht rreth orën 09:30 me ecë në mëngjes, isha me shoqen duke dhe sa qel e mshel sytë kom shkel mbi kocka dhe kam ra poshtë, dy metra apo tri metra. Ajo gropë është bërë pasi kam ra unë aty. Para se me ra unë aty ka qenë trotuar. Kur kam ra poshtë e kam dëgju shoqen duke më thirrë, e unë u befasova kur rash poshtë. Mandej ka ardhë një person, e ka ndalë shoqja, ai provoji të më tërhiqte por nuk mundi, mandej aty ka ardhë edhe një tjetër person e së bashku më kanë nxjerrë. Pak jam lëndu, nuk e kam raportu rastin askund. Nuk më ka shku mendja. Unë nuk i njohë ata persona që më kanë shpëtu, por i falënderoj shumë. U bëj apel të gjithëve të kenë kujdes gjatë kësaj rruge”- rrëfen Berisha për portalin Peja në Fokus.
Lidhur me rastin, Peja në Fokus ka kontaktuar me drejtorin e Drejtorisë për Shërbime Publike, i cili ka thënë se rasti është lokalizuar mënjëherë.
“Ne e kemi rrethu atë pjesë dhe operatori është duke intervenuar aty. Problemi është se lumi i lumbardhit është i vjetër dhe uji ka depërtu nën themelete tij duke largu dheun prej bazes. Operatori që e ka ndërtu atë pjesë, dje me urdhërin tonë ka dalë dhe e ka rrethu me shirita më pas duke intervenu. Ne ju bëjmë apel qytetarëve, sidomos ata me biçikleta të jenë të kujdesshëm në atë pjesë” – thotë Nikqi për Peja në Fokus.
Ndryshe, muaj më parë Peja në Fokus ka raportuar se ka pasur edhe raste të tjera kur qytetarët e kanë pësuar në të njëjten mënyrë, për të pasuar më pas edhe reagimet konkrete nga ana e organeve përgjegjëse./Peja në Fokus