RIKTHEHET TEMA E TRUSTIT – JA ÇFARË THONË PEJANËT

Më 1 korrik 2022 në qendër të qytetit në Pejë ishte vendosur shtandi i peticionit për nënshkrimin e qytetarëve, me kërkesën për tërheqjen e 30 për qind të parave të trustit pensional.

Kjo nismë kishte zgjatur tre ditë, ndërsa vetëm në Pejë, sipas organizatorëve në ditën e parë ishin mbledhur mbi 500 nënshkrime, ndërsa kur synohej të mblidheshin 10 mijë, në tërë Kosovën ishin mbledhur mbi 17 mijë sosh.

Lidhur me këtë, qytetarët në pyetjen e parashtruar nga Peja në Fokus, se “A do të nënshkruani peticionin për TRUSTIN?”, kanë shprehur mendime të ndryshme nga njëri-tjetri.

Linku i temës me pyetjen e qytetarëve për trustin: https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=450656710398928&id=100063638080030

Driton Imami, në komentin e tij të dhënë publikisht, shprehet:”Po, e kisha nënshkru, se thjesht këtu nuk është duke u bërë ndonjë e ardhme, kështu që mund të nënshkruhet”.

Mendim përafërsisht të ngjashëm, me një arsye interesante ka edhe qytetarja Kumrije Shala.

“Po duhet me nënshkru sepse jetëgjatsia e njerëzimit, e sidomos në Kosovë është e shkurtër, sepse pasojat e luftes, tash edhe virusi kanë ndikuar në shëndetin e njeriut, kështuqë t’i shfrytzojmë vet. Unë i kisha marrë krejt, cent për cent..”- shprehet mes tjerash ajo.

Nga ana tjetër, mendim ndryshe ka qytetari Lulzim Krasniqi, sipas të cilit:”Kjo është me i bo kursimet rrush e kumblla sot, e nesër kur s’ki më pension me fajsu shtetin se s’po bon kurgjo për pensionera”.

Skpetik në arritjen e ndonjë rezultati pozitiv nga ky proces shprehet qytetari Artan Avdija.

“Sa peticionet janë nënshkru deri më sot e kush nuk i ka marrë për bazë edhe këtë veç lodhemi tu nënshkru, tjetër kush vendos, besa pa shku në vend i hudhin në mbeturina”- shprehet ai.

Nga ana tjetër ky peticion qe ka tubuar 17 mijë nënshkrime, të cilat sipas Adnan Jasharit, njërit prej organizatorëve, ato janë pranuar si të rregullta nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndërsa më pas është proceduar në Qeverinë e Kosovës, e cila ka kohë deri më 22 tetor që ta shqyrtojë këtë Projektligj dhe ta dërgojë në kuvend për votim.

“Nënshkrimet janë mbledhur për një kohë shumë të shkurtë, për tetë ditë”, tha ai./Pejanefokus.net