Që nga muaji shtator i këtij viti në Qendrën për Paisje me Dokumente në Pejë, ka mungesë të materialit për paisje me pasaporta dhe patent shoferë.
Sipas drejtuesve të kësaj qendre, ky problem është evident tash e gati dy muaj, ndërsa një gjë e tillë mund të zgjas edhe më tutje, ndërsa me një problem të tillë Ministria e Punëve të Brendshme është ballafaquar edhe më herët, si dhe qytetarët janë të frustruar.
“Mungesë e materialeve për dokumente ka që nga muaji shtator. Prej parktikave të mëhershme, material mund të mos ketë së paku gjashtë muaj. Bëhet fjalë për patent shoferë dhe pasaporta” – thotë koordinatori Sylë Muriqi për Peja në Fokus.
Qytetarët e kanë njoftuar redaksinë tonë se ata nuk po mund të paisen me pasaporta, në mënyrë të rregullt, mirëpo në procedurë të përshpejtuar po, gjë për të cilën duhet të paguhet ekstra.
“Jom ardhë kom lyp me nxirrë pasaporten, më kanë thënë se duhesh me prit, ose mundesh nëse don me proedurë të shpejt, iu kom thënë se si duhet, ata më kanë thënë se duhet me pagu ekstra”- thotë qytetarja M.B
Nga ana tjetër, lidhur me këtë koordinatori Muriqi ka dhënë një sqarim.
“Po, deri sot ka mund të bëhet aplikimi në procedurë të përshpejtuar, e cila kushton 50 euro, kurse me procedurë të rregullt kushton 30 euro. Por nga sot duhet me pa a bënë ose jo”- ka thënë ai.
Se mungon materiali për të gjitha dokumentet e kanë pranuar edhe vetë nga Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa në arsyetimin e saj permenden zhvillimet aktuale, pandemia, si disa prej shkaktarëve që kanë nxjerrë telashe me furnizim.
“Për arsye të krizës globale, si dhe pandemisë me COVID-19, furnizimet me material janë vështirësuar. Si shumë shtete të tjera, ashtu edhe ne po kemi vështirësi të furnizimeve me materiale, këto vështirësi i ka shkaktuar kriza globale, si dhe pandemia me COVID-19. MPB është e përkushtuar që të pajisë të gjithë qytetarët me dokumente, e në veçanti rastet që kanë nevojë urgjente”, kanë thënë Ministria e Punëve të Brendshme/Peja në Fokus