SI E MORI EMRIN “XHAMIA E KUQE” NË PEJË ?

Shumë afër qendres së qytetit të Pejës ndodhet lagjja “Kapeshnica”, e që pothuajse në mesin e saj ndodhet “Xhamia e kuqe”.

 

Imam ose prijës i kësaj xhamie është Mulla.Ermir Ef. Gega, kurse më herët, për vite me rradhë hoxhë i kësaj xhamie ishte tashmë i ndjeri Dr.Rexhep Boja, i cili mënjëherë pas përfundimit të studimeve u sistemua si imam aty, ndërsa afër ishte edhe shtëpia e imamit të xhamisë.

Lagjja Kapeshnica, ku ndodhet edhe objekti fetarë në fjalë, kufizohet me dy lagje të tjera, sikurse janë Karagaqi dhe Zatrat, ndërsa për të pasur çasje tek lokacioni i xhamisë nga qendra, mund të kalohet nëpër “Uren e zallit” dhe pak metra mëtanë ndodhet njëra prej katër hyrjeve të lagjes së lartëcekur.

Vlen të theksohet se, në kohën kur ndërtimet në qytet ishin më të pakta, minarja e Xhamisë së kuqe dukej edhe nga objekti i urës së zallit, për orientim më të lehtë drejt saj.

Sipas të dhënave që ka siguruar Peja në Fokus, nga ana e sekretariatit të Këshillit të Bashkësisë Islame të Pejës, kjo xhami ndryshe njihej edhe se “Muslih Aga”, e ndërtuar rreth vitit 1749, për t’u renovuar më pas më 1889, nga Kahreman Pasha.

Objekti i kësaj xhamie numëron 25 dritare, ndërsa trashësia e murit është afër 90 centimetra.

Imami aktual i saj rrëfen se këtë xhami, në herën e parë e ka ndërtuar Sinan Aga, në herën e dytë e kishte ndërtuar Kahreman Pasha, më 1759-1760, si dhe në herën e tretë, u ndërtua më 1891-1892.

Ndërsa në bisedat që kemi pasur, gjatë vizitës sonë në këtë xhami, antarët e moshave më të vjetra të xhematit të saj, na kanë rrëfyer se ky objekt morri emrin “Xhamia e kuqe”, për shkak se në objekti i minares së saj dikur kishte pasur ngjyrën e kuqe.

Nga ana tjetër, me bisedat që kemi realizuar me disa nga banorët e lagjes ku ndodhet xhamia, kemi marrë versione të ndryshme; sipas tyre murret e jashtme të objektit kanë qenë të lyera me ngjyrën e kuqe, por nuk duhet përjashtuar edhe pohimet e disa banorëve të tjerë se kjo xhami vetëm së voni kishte ngjyrë pjesërisht të kuqe.

Vlenë të theksohet se, në mesin e 35 xhamive të territorit të Komunës së Pejës, që janë djegur dhe rënuar gjatë luftes së vitit 1999, ishte edhe kjo xhami, për t’u ndërtuar gradualisht pas vitit 2000, me të përfunduar lufta.

Sot, kjo xhami, rruga e së cilës bart emrin “Mbreti Zog” që frektuentohet nga delegacione të ndryshme, në oborrin e saj të rregulluar mirë, ka edhe dy objekte përcjellëse, që janë abdes’haneja dhe gaselhaneja, kurse në kuadër të këtij institucioni vepron menaxhmenti, i përbërë nga imami, këshilli i xhamisë, si dhe muezini, kurse bukuria e saj janë frekuentuesit e rregullt të saj/Peja në Fokus