AMBASADORI I PARË NGA PEJA NË FRANCË

Profesori dhe doktori i shkencave të filozofisë dhe letërsisë, Muhamedin Kullashit nga Peja është nderuar me titullin “Honoris Causa”, nga Universiteti publik “Haxhi Zeka”, për nderë të kontributit të tij ndër vite, në raport me çështjen e Kosovës, ndërsa ky titull akademik zakonisht ndahet nga një universitet apo një tjetër institucion, për një vizitor, në shenjë nderimi për kontributet e tij, në një fushë të caktuar.

Prof.Dr.Muhamedin Kullashi lindi më 29 nëntor 1949 në Pejë, ku kreu edhe gjimnazin, pas përfundimit të të cilit ai u pranua në Universitetin e Zagrebit, ku studioi filozofinë, paralelisht me letërsinë franceze, për t’u rikthyer më pas në vendëlinje duke u punësuar në Universitetin e Prishtinës, gjegjësisht në Departamentin e Filozofisë së themeluar nga Akademik Fehmi Agani, ku punoi deri në dëbim nga ekupatori.

Pas këtyre ngjarjeve, Kullashi shkoi në Francë, atje ku më herët si student i Zagrebit krijoi lidhje me studiues e profesorë të shkencave shoqërore, për të kryer tashmë rolin e profesorit në Universitetin ndërkombëtar të Parisit, hapësirë kjo të cilën ai e shfrytëzoi për të avokuar për çështjen e Kosovës dhe gjendjen me tëcilën shteti ynë përballej asokohe.

Prof.Dr.Kullashi ka ndarë me publikun një ngjarje të vitit 1992, ku në lokalet e revistes “Esprinia”, ata themeluan Komitetin e Kosovës, në të cilën morrën pjesë edhe emra të njohur të filozofisë franceze, të cilët ishin të njoftuar edhe për së afërmi me gjendjen në Kosovë, si dhe me rethanat se aso kohe studentët dënoheshin deri në 20 vite burg, vetëm për parullën siç është ajo:”Kosova Republikë”.

Këto ngjarje u shkruan dhe u publikuan nga këta antarë të këtij komiteti, të cilat morrën vëmendjen e burrështetasve francez, deri tek presidenti i këtij shteti, Zhak Shirak, i cili më pas i përdori ato si fakte shtytëse që shteti i Francës, me 100 aeroplanë të bashkohej me forcat e Natos, për të kryer bombardimet në kazermat ushtarake serbe, përkundër raporteve që shteti i tij i kishte me Serbinë.

Në kuadër të biografisë së prof.Dr.Kullashit është i shënjëzuar edhe kontributi që ai dha edhe në Kosovën e pasluftës, duke u dekretuar më 2 tetor 2009 si ambasadori i parë në Paris të Francës, nga presidenti Fatmir Sejdiu, për të shërbyer në këtë pozitë deri më 26 korrik 2016.

Kullashi, krahas tjerash është edhe antarë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), që nga viti 2020.

Këto që përmendem në këtë artikull, së bashku me shumë të tjera kontribute, si në shkencë ashtu edhe në raport me çështjen kombëtare, ishin arsye të mjaftueshme që Senati i institucionit më të lartë arsimor e universitar të Pejës, t’a ndajë titullin “Honoris Causa” për këtë personalitet, ndarjen e të cilit e bëri rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”. Prof.Dr.Armand Krasniqi./Peja në Fokus