Bëhet fjalë për dasmën e familjes Gorani nga Peja, gjegjësisht Saud Goranit dhe Myzaqete Zekës, në të cilën u përdor flamuri Kombëtar, ndonëse ishte i ndaluar.
Rrëfimi u sigurua nga familja Gorani dhe Peja në Fokus e konfirmoi nga të afërmit e saj, familje kjo e cila kishte vendosur të marrin nusen me flamur.
Në ballë të krushqëve ishte veprimtari i njohur, tashmë i ndjeri Rashid Gorani, njëherit prijes dhe mbikqyres i tërë ngjarjes, kurse flamuri u qëndis nga Remzi Baloku në Pejë, e bajraktar si në foto ishte trup larti Qamil Gorani, ndërsa ideja e dasmës që erdhi nga dhëndri, Saudi u përkrah nga Zija Mulhaxha, i cili ishte funksionar i lartë i Pejës në atë kohë.
Këtij rrëfimi që po e sjellë Peja në Fokus, i ka kontribuar vet zonja Myzaqete, nuse e kësaj dasme, si dhe djali Arbeni.
Të gjithë krushqit kishin shkuar në këmbë që ta marrin nusen, nga lagjia “Jarina” deri ne “Karagaq”, gra e burra, të gjithë bashkë, të cilëve gjatë rrugës iu bashkangjitën edhe qytetarë të tjerë, me emocione gëzimi se po e shihnin Flamurin kuq e zi.
Sipas rrëfimit të familjes, dasmorët gjatë rrugës janë penguar, duke u sulmuar me saksi, vezë e gjëra të ndryshme nga serbët, mirëpo dashuria për ngjarjen dhe dasmorët guximshëm me dinjitet e vazhduan rrugën.
Në momentin e arritjes tek familja e nuses, babai i saj, Avdullah Zeka i cili ishte plisagji u kishte përgatitur dhe dhuruad nga një plis të gjithë dasmorëve në kokë, në shenjë respekti për nderin dhe guximin që kishin pasur të vijnë me Flamur.
Në këtë dasëm ishte gjuajtur edhe me armë sipas traditave shqipëtare duke u shoqëruar me këngë e valle.
Pas disa ditësh, antarët e familjes Gorani e pësuan, fillmisht duke u larguar nga puna, ata u maltretuan e u burgosen.
Është kjo një nga ngjarjet e rralla të guximshme dhe e po aq të bukura, që me rrëfimin e së cilës të moshuarit e qytetit të Pejës, duke e kujtuar e shoqërojnë me lot.
Fotografia u shkrep në vitin 1968 nga Murat Gorani, në Pejë./Peja në Fokus