BUXHETI ‘MOLLË SHERRI’ MES TË QEVERIVE KURTI DHE MUHAXHERI

Që nga ardhja në qeverisjen qëndrore të subjetit politik të Lëvizjes Vetëvendosje, ka qenë kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri i cili ka shprehur ankesa të vazhdueshme për mos mbështetje të duhur për komunën që ai e qeveris.

Së fundmi, Muhaxheri që është edhe pjesë e Asociaconit të Komunave të Kosovës, ka shprehur pakënaqësi me ndarjen e buxhetit për vitin 2023 për komunën e tij, pasi që, sipas tij Peja është anashkaluar edhe prej buxhetit të këtij viti nga Qeveria.

“Të hyrat vetanake i përmbyllin një pjesë të investimeve, këtë herë si për çudi Qeveria për Komunën e Pejës ka ndarë shumë pak, është viti i dytë që për Komunën e Pejës nuk ka mbi 40 mijë euro investime. Ndërsa, komunat e tjera janë shumëfish më të mëdha, më shumë investime, kemi menduar që kjo praktikë do të hiqet me ardhjes e kësaj qeverisë së re, por po shohim që po vazhdon i njëjti avaz. Peja është total e anashkaluar prej buxhetit të këtij viti të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, citohet të ketë thënë Muhaxheri.

E prej buxhetit prej 3 miliardë e 212 milonë euro që Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim, mbi 33 milion euro i takojnë Komunë së Pejës.

E lidhur me këto ankesa të kryetarit Muhaxheri, gazetarët e Peja në Fokus kanë drejtuar pyetje në ditën e prezentimit të buxhetit në Pejë, tek kryeministri Albin Kurti, ministri i financave, Hekuran Murati si dhe tek ministri i pushtetit lokal, Elbert Krasniqi.

“Është e vërtet që Komuna e Pejës, në bazë të formulës në fund i bie që ka buxhet më pak se Prishtina, Prizreni e Ferizaji, por ka më shumë se sa Gjilani, Gjakova e Mitrovica, e ky është realiteti sepse e tillë ajo formula”- u përgjigjj kryeministri Kurti, në pyetjen e Peja në Fokus.

Kurse nga ana tjetër, në pytjen e gazëtarëve tonë, ministri i financave ka një përgjigjje më detaje, duke përfshirë madje edhe gjykim politik, sipas të cilit, ankesat si ajo e kryetarit të Pejës, vinë kryesisht nga humbësit e pushtetit qëndror.

“Tash ka në vazhdimësi ankesa nga komunat që qeveria qëndrore spo i mbështet, sidomos nga këta që e kanë hup pushtetin në nivelin qëndror, megjithatë mbështetja, me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike si dhe ato të pushtetit lokal, nga ky buxhet 33 milion euro që është për Pejën, prej tyre 28 milion euro janë grant qeveritar, pra transfere që Qeveria ua jap komunës, e Komuna vetëm 5.3 milon i mbledh të vetat nga të hyrat vetanake, kështuqë nëse 28 milon euro që janë dedikuar për këtë komunë nuk janë mbështetje, atëherë nuk e di se çfarë është kjo, nuk duhet harruar edhe investimet e tjera infrastrukturore në rrugë e në sport etj”- ka thënë ministri Murati në Pejë.

E nga ana tjetër, prania e krerëve të qeverisë qëndrore, për të prezentuar buxhetin para pejanëve, duket se nuk është pritur edhe aq mirë nga antarët e qeverisë komunale në Pejë.

Sipas Jeton Abazaj, drejtor i financave, buxheti që e prezentoi Kurti me ministria Pejës i garantohet sipas ligjit në fuqi, ndërsa atë edhe e ka aprovuar Asambleja Komunale në muajit shtator.

Ai gjithashtu shtoi se:“Une sot prita qe kryeministri ka me na gezu me lajme te mira per Pejen, e kisha falenderu nese ai sot i kish tregu Pejes qe i ka nda 300 milion qe i ka te pa shpenzume ne rezerva per me e perfundu Autostraden Kijeve – Zahaq, 10 milion per rehabilitimin e rruges per Rugove! 5 milion per Impiantet neper fshatra. Kryeministri deri me sot nuk e ka buxhetu as edhe nje projekt te ri per Pejen, e ka akoma mundesine,kerkesat personalisht ja kam dorezu, nese e perfshin ndonje kerkese te komunes sone po ju premtoj qe do ta falenderoj publikisht”.

 

Sa i përket projekteve infrastrukturore, në Komunën e Pejës, sipas ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi janë financuar projektet e ndërtimit të trotuareve dhe ndriçimit publik, siç janë ato përgjatë rrugës Vitomericë – Novosellë, si dhe Bllagajë e Nabergjan, që sipas tij këto janë vetëm disa nga punët në mbështetje të komunave në shërbim të qytetarëve.Peja në Fokus