Në vitin 1982 afaristi Tefik Krasniqi solli makinën e parë për pastrimin kimik të rrobave nga Italia në Pejë, duke u bërë kështu njëherit edhe si biznesi i parë i këtij lloji në qytet, i titulluar si:“Higjiena”, emër tregtar ky i njohur tashmë jo vetëm në Kosovë, por dhe më gjerë.
Më pas Besniku, djali i Tefikut, qysh në moshën 10 vjeçare e nisi angazhimin për t’u marrë me zanatin që e solli babai i tij, një dekadë para se të lindte ai, ndërsa kjo veprimtari tash e 40 vite vepron në lokacionin e njejt, në rrugën “Gazmend Zajmi”, në Çarshinë e Gjatë, afër Qendrës Tregtare “Burma” në Pejë.
Pas babait të tij si gjeneratë e parë, e Besnikut si e dyta, janë edhe Armnori dhe Nëntori, gjenerata e tretë që po e trashëgojnë veprimarinë të cilën e solli gjyshi i tyre, duke bërë që ata tashmë të ndjekin edhe trendin e tregut, si dhe pjesmarrjen nëpër ekspoze tregtare botërore për të korrur suksese duke marrë çmime në këto aktivitete, si histori suksesi.
Edhe sot kjo kompani vazhdon pjesëmarrjen nëpër ekspoze e panaire të ndryshme, ndërsa vlenë të përmendet fakti se në vitin 2018 në Milano të Italisë, me organizimin e “EXPO DETERBO”, “Higjiena” nga Peja si e vetmja pjesëmarrëse nga Kosova merr çmim botëror duke u rënditur e 74-ta me rradhë, në mesin e 400 mijë pjesëmarrësve nga e gjithë bota.
Sot e kësaj dite “Higjiena” është sinonim i pastërtisë së rrobave, në Kosovë dhe më gjerë./Peja në Fokus