Personaliteti i Zenel Begollit – i njohur si “Zenel Beu” nga Peja

Zenel Begolli, i njohur si “Zenel Beu” – një personalitet i njohur që vinte nga një familje e madhe atdhetare dhe e pasur nga Peja.

Se Peja ishte kontributdhënëse në çdo nismë të kauzave kombëtare e flet edhe historia, e cila ndahet në periudha të ndryshme, por që të gjitha ato dhe gjeneratat përkatëse kishin një pikësynimë; Çlirimin dhe Lirinë e trojeve që u përkasin shqipëtarëve, e për këtë në periudhat e para ishte pjesmarrës edhe vet Zenel Bej Begolli.

Në kohën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin e Vlorës, më 1912 si përfaqësues-delegat i nahisë së Kosovës nga Peja, Në librin e prof.dr.Bardhosh Gaçe “Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare me 1912” për veprimtarin patriotike të Zenel bej Begollit në mes tjerash thuhet: Ka lindur në Pejë,në familjen zëmadhe dhe patriotike të Mahmutbegollëve në vitin 1865. Qysh në rininë e tij u shqua në kuvendet e burrave, luftërat dhe përpjekjet antiosmane.

Lidhjet me rrethe atdhetare u forcuan edhe më shumë me krushqi, martesën që bëri me të bijën e atdhetarit të shquar Ali Pashë Gucisë.Në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX ishte një personalitet i cili gëzonte autoritet e respekt në Pejë e më gjerë.Në vitin 1899 u përfshi në organizimin e Lidhjes së Pejës krahas Haxhi Zekës, me synimin për ruajtjen e tërësisë tokësore nga shovenistët ballkanikë.Ndihmoi nga afër Haxhi Zekën në përgatitjen e Kuvendit të Pejës,që u mbajt me 24-28 janar 1899.Në rezoluten e këtij kuvendi u vendos midis të tjerash që shqiptarët të kenë kreret e vetë komandantë ushtarat.Një nga këta ushtarak u zgjodh edhe Zenel beg Begolli.Në vitet më pas ai bashkëpunoi me Riza bej Gjakovën,Idriz Seferin dhe Isa Boletinin me të cilin kishte raporte krushqie (djali i tij kishte për bashkëshorte vajzën e vllait të Isa Boletinit) në organizimin e rezistencës antiosmane.Në dhjetor të vitit 1902 u takua me Isa Boletinin para se të nisej për në Stamboll dhe kërkoi besen për ta mbrojtur nga ndonjë e keqe që mund t’i ndodhte.

Në shkurt 1903 duke e parë se Isa Boletini nuk po kthehej nga Stambolli, Zenel Begolli, Zejnullah beg Vuçitërni dhe Aqif Pazari,organizuan një lëvizje kundër pushtimit Osmanë. Ata protestuan me telegrame pranë Portës së lartë dhe kërkuan kthimin në Kosovë të Isa Boletinit. Emri i Zenel Begollit për këtë protestim shënohet edhe në relacionin e përfaqë- sisë gjermana në Beograd dërguar kancelarit të Rajhut, Von Bulov në Berlin, me 30.12. 1902 .Në vitin 1909, Isa Boletini u takua në Pejë me Zenel Begollin, për organizimin e kryengritjes kundër pushtuesve osmanë. Edhe në Maj 1910 u thirr në kuvendin tradicional, në Verrat e Llukës me kërkesën e Isa Boletinit si përfaqësues i parisë së Pejës. Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegatë i Pejës në Kuvendin Kombëtar për Shpalljen e Pavarësisë. I propozuar nga kryetari i qeverisë së Vlorës, Ismajl Qemajli, zgjidhet Kryetar i Senatit.

Udhëpërshkruesi Gabriel Luis-Yaray (viti 1909) pasi që kishte arritur në Pejë… thotë: ”Mendova të njihem me ndonjë familje shqiptare. Peja, si qytet i madh shqiptar, rrënzë  maleve, ku banojnë fiset më luftarake dhe të panënshtruara, është vendi ku takohen edhe prijësit dhe bejlerët më të pasur të Shqipërisë Veriore. Në këto vise ndikimi i prijësve ka qenë gjithnjë mjaft i madh dhe kajmekamët turq kanë qenë të detyruar të zbatojnë porositë e tyre. Madje edhe sulltani i plotësonte dëshirat e prijësve shqiptarë, të cilët kishin autoritet të madh.

Familja më e njohur e këtyre viseve është ajo e Begollëve, me prejardhje të lashtë dhe me pasuri të madhe[1]. Kryetar i sotëm i saj është Zenel Begolli, i cili e ka kullën në Pejë. Unë vajta në këtë kullë, që ka pamjen e një kështjelle të vërtetë. Megjithëse nuk e kisha njoftuar më parë për këtë vizitë, më pritën me shumë dashamirësi në selamllëk. Pasi më ulën në divan, më sollën shurup me ujë të ftohtë dhe disa pjata me reçel shumë të mirë, kafe e cigare. Pas pak erdhi Zenel Beu, një burrë mbi të pesëdhjetat, me flokë thuajse krejt të thinjur, trupmadh, por me ecje dhe lëvizje rinore. Qëndrimi dhe biseda e tij tregonin se ai ishte me të vërtetë një prijës, i aftë qoftë të veprojë, qoftë të përmbahet. Ai më shpjegoi pse të gjithë shqiptarët, të pasur dhe të varfër, kundërshtojnë pagesën e së dhjetës, si dhe shërbimin ushtarak të detyrueshëm, siç kërkojnë xhonturqit.

Zenel Begolli përveçse si një atdhetar i njohur, e tregtar i shkathtë, ishte dhe një besimtar i devotshëm e i dalluar, për çka në saje të kontributit të tij, ai ishte edhe njëri ndër ndërtuesit e xhamisë “Pehlivan Mejdan”, që ndodhet pak metra larg nga kulla e tij.

Sa i përket objektit të njohur në qytetin e Pejës, si “Kulla e Zenel Beut”, ajo njihet si një nga monumentet më të rëndsishme të trashegimisë kulturore-historike të qytetit të Pejës, e cila u ndërtua para 150 viteve nga vet Beu për tu shfrytëzuar si rezidencë nga ai deri në vitin 1912, vit pas të cilit u përdor për banim nga pasardhësit e tij

Ky monument bënë pjesë në kullat si banesa qytetare të Rrafshit të Dukagjinit, e cila më 1945 u konfiskua nga pushteti dhe deri më 1947 u shfrytëzua si postë dhe si burg, e që më pas ajo i kthehet pronarit, në të cilën familja aty jeton deri më 1999, për tu djegur më pas në luftën e fundit.

Pasi që gjatë luftës së fundit kjo kullë u shkatrua, por me iniciativen e trashigimtareve të Zenel Beut , ajo u ringrit përseri në vitin 2006 nga familja Begolli me mjete vetanake në menyrë të njejt, e cila sot shërben si restaurant dhe hotel ikonik i qytetit, aty ku gërshetohet tradita me ushqimin, një arsye më tepër kjo krahas historisë për të vizituar.

Vlenë të theksohet se nga Presidenca e Republikës së Kosovës, për kontributin e tij në Lirinë e Kosovës, Zenel Beut i është ndarë “Urdhëri i Lirisë”.