Rrëfimi prekës i fqinjëve për masakrën ndaj familjes Bala nga Peja

Lidhur me ngjarjen e kobshme të familjes Bala nga Dardania e Pejës, nga e cila më 12 qershor 1999 u vranë shtatë antarë, nga të cilët pesë fëmijë, Peja në Fokus e ka intervistuar familjen fqinje të tyre, e cila i’u gjend pranë në ato momente të vështira.

Në rrëfimin e saj rreth ngjarjes, Servete Loci, fqinja e cila i hapi dyert për të mbijetuarit e rastit të familjes Bala nga Peja, ndanë me ne disa momente nga rasti në fjalë.

“Kemi qenë duke ndenjur në shtëpinë tonë, sepse na pati rrobëruar Policia, pasiqë burri im Rizaja ka qenë gjykatës, e vinin e na kontrollojshin, e na kërcënojshin, nëse ikim ose mos po na vie edhe dikush tek ne. Për një moment janë ndegju kërsimat e automatikëve, e ne nuk denim se ku po ndodhin ato. Më pas ka ardhë Isa, na ka thirrë, jemi dalë në ballkon kish pas qenë edhe Vetoni me të, më tha merrma djalin pshtoma, se ata të tjerët mi kanë mbytë.”- tregon në vaj për Peja në Fokus, fqinja Servvete

“E kom marrë Vetonin prej tokës në ballkon, pas pak kohe ka ardhur nëna e tij Alisa, në derë, e kemi pa që ka qenë krejt e përgjakur, e mandej e kemi fut në bodrum. Se u frikësosjshim mos po hynë ata prap. Isa ka shku tek shtëpia. Alisa kishte nevojë për hospitalizim, por nuk kishim veturë. Ka kalu një veturë e Policisë, unë kam dalë në mes të rrugës e kam ndalu, kurse polici kishte qenë bosanc-musliman”- vazhdon rrëfimin mes lotësh, zonja Servete.

“Pasi që e kemi dërgu në spital Alisen, unë jam kthy në shtëpi të saj, e kemi pastru, por kemi gabu se ka qenë dashtë me lënë në atë gjendje me u pa gjurmët, mirëpo gjendja e Alisës nuk ishte e mirë dhe nuk dëshirojshim me trondit më shumë.”- thotë tutje ajo.

Ngjarja kishte vijuar kur ditëve në vazhdim, fqiu Riza Loci me bashkëshortin e Alisës, Isën, dhe me dy fqinjë të tjerë, ishin marrë me varrimin e shtatë kufomave, që po qëndronin për tre ditë me rradhë në bodrumin e shtëpisë, aty ku edhe ka ndodhur sulmi paramilitarë, ata pos tjerash, për të identifikuar varret e të vrarëve kishin marrë disa dërrasa, mbi të cilat kishin shkruar emrat dhe ditëlinjet e tyre, në mënyrë që pas lufgës t’i gjenin më lehtë varret.

Dhe për fund, pashmangshëm Servete Loci sjellë konfrontimin e çastit, mes saj dhe një fqinji serb në lagjen e tyre, në atë natë pas ngjarjes tragjike, kur kishte dalur të kërkojë ndihmë për Alisën.

“Djali Ruja Popovicit, një kojshisë këtu në lagje, me emrin Vlladan, cili tash është mjek në VMA të Beogradit, më pyeti, duke me thënë: Hë kojshi, cka ka? – E unë iu ktheva: Çka bëtë more kështu? – Ai më tha, kinse i habitur: Pse, çka bëmë more? – Unë i thash: Shtatë persona, që prej prej tyre ka edhe fëmijë i keni mbytë! – Ai mu kthye: Nuk është e mundur! – Unë i thash: Eja e shihi pra! – E ai ma ktheu: Po nuk ka qenë kjo tek ju. – Thash pse a ka qenë rendi edhe tek na a? – Dhe ai u largua.” – tregon zonja Loci.

Ajo që vlenë të theksohet, mes tjerash si brengë dhe shqetësim nga antarët e pakët të mbetur nga kjo familje, si dhe nga fiqnjet e saj është fakti se askush nga institucionet e shtetërore të drejtësisë deri më tani nuk është interesuar, madje asnjëherë lidhur me rastet e tilla që kishin ndodhur në Pejë, me theks të vecantë të familjes Bala.

|www.pejanefokus.net