Pas sulmit që punëtori i ‘Telekomit të Kosovës’, D.A kreu ndaj gazetarit të ‘Agjencionit Peja në Fokus’, me anë të një emaili, ka reaguar Zyra për Publikun e këtij institucioni.
“Të nderuar gazetarë dhe drejtues të mediumit/portalit Agjencionit Peja në Fokus.
Na lejoni në fillim të shprehim keqardhjen që një punëtor i Telekomit të Kosovës, në orar të punës, duke e kryer detyrën e vet zyrtare, pavarësisht nëse ka qenë i provokuar apo jo, ka lejuar të përfshihet në një incident me gazetarin e mediumit të juaj. Në këtë rast, që të dy në detyrë zyrtare, duket se kanë harruar për një moment përgjegjësitë dhe janë lëshuar në një grindje/mosmarrëveshje e cila ka eskaluar në një incident i cili nuk i jep hije të mirë as gazetarisë e as Telekomit të Kosovës.
Pa dashur të paragjykojmë lidhur me gjetjet e gjykatës dhe vendimit të saj, gjithsesi pa asnjë paragjykim as për fajësinë, ju kërkojmë falje që në fillim, për shkak se një zyrtar i kompanisë tonë ka lejuar të përfshijë veten edhe emrin e kompanisë në një situatë të tillë, aq më tepër pasi ai sipas përgjegjësive që ka është i obliguar të komunikojë dhe bashkëpunojë në mënyrë korrekte dhe të afërt me qytetarët.
Për ne, sjellja e kolegut tonë paraqet shkelje të rregulloreve të brendshme të kompanisë dhe lidhur me këtë nga ana e eprorit të tij është iniciuar procedurë disiplinore. Lidhur me raste të ngjashme, ne kemi politikat e kompanisë të cilat synojnë të mbrojnë konsumatorin, qytetarin dhe emrin e kompanisë, por gjithsesi edhe të drejtat e të punësuarve.
Përndryshe, për aq sa është raportuar te ne, ky është incidenti i parë i këtij zyrtari dhe i njëjti ndër kolegët njihet si një person i përgjegjshëm, i ndërgjegjshëm dhe punëtor i mirë që i kryen detyrat dhe ka sjellje korrekte me bashkëpunëtorët dhe palët. Gjithsesi, pavarësisht se çfarë epilogu merr ky incident, një mirëkuptim dhe një kërkim falje reciproke do të ishte njerëzore dhe e dobishme për reputacionin e mediumit tuaj dhe kompanisë tonë dhe është në interes të një bashkëpunimi të pakushtëzuar në dobi të informimit dhe shërbimit sa më të mirë për qytetarët.
Në fund, duke ju lutur të njoftoni edhe lexuesin tuaj lidhur me përgjigjen tonë, ju sigurojmë se si kompani publike jemi të përcaktuar për një bashkëpunim të hapur me mediat, pavarësisht nëse ato janë nacionale apo lokale, sepse informimi i plotë, i shpejtë dhe i saktë i qytetarëve është interes i yni i përbashkët!
Me respekt,
Fadil Lepaja,
UD Drejtor për Relacione me Publikun”- thuhet në reagim.