Në Kosovë deri më tani janë të shënuar mbi 980 persona me sindromën Down, prej të cilëve nga Peja numërohen rreth 70 persona.
Në territorin e Komunës së Pejë operon një organizatë joqeveritare e cila njihet me emrin “Qendra për Jetë të Pavarur”, në kuadër të së cilës krahas personave të tjerë me aftësi të kufizuara, sipas koordinatores së kësaj qendre, Fitore Cena Haxhihasani, rregullisht pëfitojnë 9 persona me sindromën down.
Në foto: Fitore Cena Haxhi Hasani
“Tek ne janë 9 persona me sindromën down të cilët marrin shërbime te rregullta. Lidhur me këtë, qendra jonë bashkëpunon me ‘Down Sindrom Kosova’, dhe sipas informacioneve që kemi pranuar nga drejtoresha e saj, numëri i tyre në nivel Kosove është mbi 980, ndërsa në territorin e Komunës së Pejës janë afër 70 persona”- thotë Cena Haxhihasani për portalin ‘Peja në Fokus’.
Nga rreth një mijë sa është shifra e fundit sipas statistikave të ‘Down Syndrome Kosova’, ani pse dyshohet që ky numër është edhe më i madh, sikurse edhe vet institucionet qendrore duket se edhe Komuna e Pejës i ka harruar ata, e madje nuk po respektohet as ligji për përfshirjen e këtyre kategorive të shoqërisë në institucionet publike.
Në pyetjen që ‘Peja në Fokus’ i ka adresuar Zyrës së Personelit’, në Komunën e Pejës lidhur me atë se a ka persona me sindromën down të punësuar në këtë komunë, përgjigja nga shefi i kësaj zyre, Edmond Shala, ka qenë kjo:
“Në institucionet e Komunës së Pejës janë të punësuar pesë persona me aftësi të kufizuara, por asnjëri prej tyre nuk i takon kategorisë së personave me sindromen down”.
Ndryshe, sipas ligjit Nr.03/L-019, neni 12 punëdhënësit janë të obliguar që në 50 punëtorë një prej tyre të jetë me aftësi të kufizuara.
“Punësimi në tregun e hapur të punës: 1.Organet e administratës shtetërore, punëdhënësit e sektorit privat dhe publik si dhe organizatat joqeveritare obligohen që, me kushtet e përshtatshme të punës ti punësojnë personat me aftësi të kufizuara. 2. Çdo punëdhënës është i obliguar të punësoj një person me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë (50) punëtor”, thuhet në këtë ligj.
E madje sipas këtij ligji punëdhënësit që nuk e respektojnë këtë ligj obligohen të paguajnë kontribute prej 1% në shtet e që kjo shumë të përdoret për nxitje të punësimit të personave me aftësi të kufizuar.
“Punëdhënësi i cili nuk i përmbush detyrimet nga paragrafi 1 dhe 2 i këtij neni, obligohet qe për nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara, të paguaj në buxhetin e Kosovës kontribute mujore në lartësi prej një përqind (1%) të shumës së pagës minimale”, thuhet në vazhdim të këtij ligji.
Ndërsa përkundër vështirësive të tjera që ka ‘Qendra për Jetë të Pavarur’, duke u nisur nga ato financiare, pasi që sipas koordinatores Cena Haxhihasani, në muajt e parë të çdo viti ata funksionojnë madje edhe pa buxhet, nuk kanë munguar as përpjekjet e shumta që këtyre personave t’u sigurohet edhe ndonjë vend pune.
“Këta persona janë të aftë edhe për punë, por të punësuar nuk ka edhe pse organizata jonë është munduar që t’i angazhojë në disa biznese, por fatkeqësisht, ata në këtë drejtim nuk janë bashkëpunues”– shton ajo.
Ndryshe, në mars të çdo viti sikurse në çdo vend të botës edhe në Kosovë shënohet Dita Botërore e personave me Sindromën Down e njohur zyrtarisht nga Kombet e Bashkuara që nga viti 2012, e cila ka për qëllim ndërgjegjësimin e njerëzve për sindromën doën si dhe ata që punojnë e jetojnë me ta personat e kësaj kategorie – duke u organizuar të marrin pjesë në aktivitete dhe ngjarje për të rritur ndërgjegjësimin e publikut, për të krijuar një zë të vetëm global që mbron të drejtat, përfshirjen dhe mirëqenien e njerëzve me këtë sindromë./Pejanefokus.net