Si u zbraz Peja më 1999 ?

Zbrazja e Pejës – 28 Mars 1999 – Kundër harresës kolegtive, shkrim ky i botuar edhe më herët nga mediat elektronike nacionale, e risjellur sërish, pa ndërhyrje.

shkruan; Fitim Behluli

(Secili nga ne ka rrëfimin e vet, shumica, shumë më të dhimbshëm, më të rëndë e më të pergjakshëm se ky)

E Shtunë – 27 Mars 1999 – ditë pazari për pejanët!

Dita e katërt e bombardimeve të paktit NATO mbi Serbinë dhe Jugosllavinë e dhunshme artificiale.

Asnjë lëvizje në qytet.

Edhe ato lëvizje ndërfqinjësore dhe sa për të blerë bukë për pak minuta, ishin ndërprerë. Krisma armësh, ‘sirena’ alarmuese të luftës që transmetoheshin nga gjigandi i dikurshëm ‘Zastava’. Snajperistë mbi ‘Bankkos’ dhe mbi Pallatin e Kulturës.

Njësite paramilitarësh serb ‘Speciallca’, “Munja” (vetëtima), “Frenki”, (një njësit komando i emëruar sipas udhëheqësit të tij Franko Simatoviq – “Frenki”) dhe ‘Dora e zezë’, në Kodrën e ‘Tabjeve’, kishte ditë që ishin vendosur pranë bunkerëve të luftës së II-të botërore, nga ku e kontrollonin lagjen ‘Jarina’ dhe gjysmën e qytetit si në pëllëmbë të dorës.

‘Jarina’ një lagje e përzier për nga etnia. Familja jonë dhe fqinjët që tradicionalisht jetojmë aty ndër dekada, i kishim të kufizuara lëvizjet edhe përbrenda shtëpive tona. Atë të shtunë, ato forca në kodrën ‘Tabjeve’ ishin më të kujdesshëm në dukje/ekspozim. NATO mbulonte qiellin!

Në ‘Dardania III’, II dhe I, veçse kishin ndodhur krimet dy e tre ditë më parë.

Në rrethinën e Pejës UÇK-ja kishte ndërmarrë aksione të cilat i kishin sjellë palës policoro-ushtarake serbe humbje të konsiderueshme në njerëz. Krimineli famëkeq Vidomir Shalipuri që banonte qindra metra larg shtëpive tona, (në rrugën e Asllan çeshmës, përballë marketit të sotëm Greta) ishte tërbuar. Flitej se i ishin vrarë tre shokë të njësitit.

Nga e djathta – Kryekrimineli Vidomor Shalipur në duke u ngushëlluar nga ‘Puçrrani’, (majtas) në varrimin në Pejë të shokut të togut, i vrarë nga UÇK

Në objektin e Komunës së Pejës, (objekti në qendër të qytetit, pranë postës), kishte ditë që Kryetari i dhunshëm i Pejës, i kishte lëshuar zyrë, Shefit të shtabit të Njësitit snajperist të Armatës së tretë “Jugosllave”, grup që vërtetohet të ketë qenë nën komandën e drejtpërdrejtë të kryegjeneralit të Armatës së Tretë serbe.

***

Mesditë! (e shtunë 27 Mars 1999), thuhej se po e zbrapsnin Kapeshnicën!

‘Kapeshnica’ një lagje etnikisht e pastër, atëherë me rreth 20 mijë banorë, e dalluar në qytet për shpirtin rezistent. Atje i kisha dajët. Brenga ishte tejet e madhe. Linjat telefonike në Pejë kishte disa ditë që nuk funksiononin.

Kapeshnica e boshatisur- (Savat tek mulliri i Bekës)

Peja sikur e tërë Kosova, tashmë ndodhej jashtë reflektorëve të Bashkësisë Ndërkombëtare. Misioni vëzhgues i OSBE-së, kishte lënë Kosovën dhe Pejën. Kampi i sotëm ‘Karagaç’, atëherë ‘Miranda’ ku ishte shtrirë ky mision, tani ishte boshatisur.

I vetmi komunikim i popullatës tonë me botën, ishte ‘Zëri i Amerikës’ për çdo mbrëmje në ora 23:00, dhe ai i DW-së (Dojçe velles), çdo ditë në ora 13:00. (Kuptohet për ato familje që kishin luksin të kenë antentë satelitore).

Nuk kishim asnjë informacion për familjen e dajës dhe për asnjë banorë të lagjes ‘Kapeshnica’.

Një natë, një mbrëmje e gjatë. Shumë frikë dhe shpresë… Frikë, sepse rrethanat e zhvillimeve të shpejta nga çasti në çast, reflektonin edhe në fytyrat e prindërve dhe familjarëve më të moshuar. Shpresë, sepse pas një terri të gjatë shumëvjeçar, këto 4-5 netët e fundit, po sillnin dritë, dhe atë, nga aeroplanët e Aleancës më të fortë në historinë e njerëzimit NATO.

Në memorien time, si 18 vjeçar, emrat e aktorëve të njohur të filmave të kohës, ishin zëvendësuar me ato të figurave aktuale të kohës, që po bënin politikën e botës; Riçard Hollbruk, Robin Kuk, James Shea, Havier Solana (spanjoll i përmbajtur), Zhak Shirak, Xhejms Rubin, Klaus Kinkel, Ollbrajt, Klinton, Hill, Petriç, Majorski (rus), Clark e të tjerë. Si i ri, më së shumti përshtypje më bënin paraqitjet televizive të këtij të fundit (Clark). Ishte amerikan i uniformuar. Ishte i shkurtë dhe i qartë në fjalime dhe mbante shkopin në dorë me të cilin prekte hartën e Jugosllavisë së mbetur.

-Ata të cilët nuk i kuptoja në atë periudhë, ishin pikërisht ata që duhet ti doja më së tepërmi, faktori shqiptar i Kosovës. -Faktori shqiptar i cili paraqitej në skena dhe edicione lajmesh veçanërisht gjatë kohës së konferencës së Rambujesë. Bukoshi, Tahiri, Hajrizi e të tjerë. -Sado që ne prisnim lajme jetike për fatin tonë, ata i mbushnin minutat duke bërë garë mes vete, me demante e kundër demante, se kush ishte prijës i delegacionit Kosovar, Thaçi apo Rugova!

-Nga spektri ynë politik atje, të gjithë ne në shtëpi, i admironim paraqitjet e Veton Surroit dhe Blerim Shalës. Prej gazetarëve-korrespodentë, që raportonin nga qendrat e vendosjes dhe ato shqiptare, nuk mund të mos përmend Augustin Paloken nga Brukseli, Nadira Avdiç-Vllasi, Asllan Bajrami, Mustafë Muçaj dhe Besa Qeku. Sa të përmbushur që ishin. Me raportimet e tyre, bashkë me bukën dhe ujin, ishin pjesë e familjeve tona.

***

E Diel – 28 Mars 1999 – Ditë e Kurban Bajramit

Qyteti i Pejës ishte në flakë. Jarina po zbrapsej.

Gjatë natës disa nga fqinjët ishin nisur kokë më vete në drejtim të Rozhajës.

Një pjesë e madhe prej tyre bashkë me ne – kishin mbetur. Ishte shtet-rrethim.

Një lokalitet, total i paarmatosur, aty këtu ndokush nga familjarët kishte ndonjë TT – jugosllave.

Ora 13:00 …

Lajmet audio-satelitore në DW (dojçe velle). Në mes të qetësisë absolute ku dy familjet, e jona dhe e axhës ishim bashkë, më të vjetrit kërkojnë qetësi, se po flet Valentina Saraqini…

“Informacionet tona nga Peja flasin për krime makabre të forcave serbe. Qendra zejtare, pjesa e stacionit të autobusëve, Kalaja dhe blloqet ‘Dardania’ janë nën flakë. Burrat e Kapeshnicës kanë filluar një rezistencë nën sloganin se; “nuk duam të vdesim si kafshë”. Mungon rryma, dhe linjat telefonike me lagjet ‘Jarina’ dhe ‘Ramiz Sadiku’. Në këto lagje ekziston frika e ndonjë masakre të mundshme meqë ka popullatë të përzier… Kemi në linjë telefonike komandantin e zonës operative të dukagjinit në UÇK, Ramush Haradinajn. #Saraqini: z. Haradinaj, cila është gjendja nga ajo që ju keni në duar si informacion për Pejën? #Haradinaj: Popullata civile e Pejës është e pambrojtur, kjo ka bërë që të kemi kujdes në ofensivat tona, sepse aparati serb, është shumë hakmarrës, ndërsa në zonat ku ne kemi ushtarë të rregullt të UÇK-së, humbjet e forcave serbe janë të mëdha si në njerëz ashtu edhe në teknikë luftarake. Liria kurrë s’ka qenë më afër. #Saraqini: A mund të flasim për rezultatet e Rambujesë, nga këndvështrimi juaj! #Haradinaj: Nuk e di. Nuk jam marrë me ta. Liria bëhet këtu. Jemi në punë me të gjitha veglat që i kemi në terren. Popullaten e Pejës e ftoj për organizim për vetmbrojtje. #Saraqini: Cila është thirrja juaj për Bashkësinë ndërkombëtare ? #Haradinaj: Fillon të flas në anglisht… dhe linja shkëputet’… (Ishte kjo hera e parë, momenti i parë që Kryeministrin e sotshëm, atë ditë po e njoftoja, por veç nga zëri. Nuk e kisha idenë e figurës së tij. Në logjiken time, foli bukur, saktë dhe tamam si ushtarak. Me anë të fjalës së prerë, na krijoi idenë e personit prej njeriu të vendosur, siç e njohë edhe sot. Ishte i vetmi ushtarak nga terreni, që po prezantohej pa nofkë, por me emër dhe mbiemër).

Komandanti i KFOR-it Majk Xhekson – Ramush Haradinaj – Agim Çeku 1999

Kazerma e Ushtrisë Jugosllave në Pejë, e bombarduar nga NATO

Disa minuta më pas, në derën e shtëpisë tonë trokasin ‘fqinjët’ serb dhe malazez!? Ne i lëshojmë shtëpitë tona. Nën përcjellje të forcave serbe, në kolonë në këmbë arrijmë në qendër të qytetit të Pejës. Një pjesë e familjes marrin drejtimin e Rozhajës me një automjet ‘Reno 4’ të axhës, e ne, pjesa tjetër mbetemi të rreshtuar në autobusin me firmën ‘Gramosi Tours’, që normal ishte rrëmbyer nga policia dhe e drejtonte një polic serb i cili na dëbon deri në kufirin me Shqipërinë…

***

Peja çlirohet më 16 Qershor të të njëjtit vit (1999)!

Ushtarë të Lirisë tek ndërtesa e ‘Dukagjini’-t, atëherë, Komanda e Zonës së III-të UÇK-së

Liria erdhi, … shumë e përgjakshme, me shumë djem e vajza të kthyer në bronzë, me të tjerë invalid, 73 % e qytetit e shkatërruar totalisht. Shumë viktima, shumë martirë, … por edhe shumë ëndrra e shpresa për një të ardhme të ndritshme.

Po në këtë datë, pas një kohe shumë të gjatë, pas vuajtjesh, persekutimesh, dënimesh, vrasjesh e krimesh, në qendër të Pejës dhe në objektin komunal do valëvitej Flamuri kombëtar, Kuq e Zi!

Et’hem Çeku, prefekti i Pejës, udhëheqës punëtorë, (të cilin më vonë do ta njihja dhe intervistoja shumë herë si gazetarë e për ta pasur edhe mik), ishte figura, që ato ditë ishte personifikimi i tërë UÇK-së për popullatën civile të sapokthyer e cila përkundër thyerjeve të mëdha, humbjet dhe shkatërrimet po i kthente në një vitalitet të pashembullt për punë dhe ndërtim të qytetit.

(Refleks, shkëputje nga kujtimet, inqëzimet dhe ditari me shënime)

(P.S. Foto e ballinës, huazuar nga Arlind Gusinja)/Njeshi&RADIO 1/Pejanefokus

Stacioni famëkeq policor – SUP/MUP Pejë, ku ndodhet edhe sot Policia e Kosovës