Në territorin e Komunës së Pejës po vazhdon regjistrimi i popullsisë, i cili ka nisur më 5 prill dhe do të përfundojë më 17 maj 2024 – ndërsa në Pejë janë regjistruar 95 përqind e qytetarëve bëjnë të ditur nga Zyra lokale e Agjencisë së Statistikave të Kosovës(ASK) në Pejë për ‘Peja në Fokus’ – nga ku thonë edhe se regjistruesit e tyre nuk janë duke kaluar pa pengesa, përderisa bëjnë të ditur se kanë shtuar edhe kapacitetet për të përfunduar sa më mirë ky proces.
Enver Kelmendi, koordinator i kësaj zyre në Pejë, duke folur për ‘Peja në Fokus’ ka thënë se procesi është duke shkuar mirë, mirëpo nuk ka lënë pa përmendur edhe disa probleme, me të cilat jo rrallë herë janë duke i hasur në ekomonitë familjare që ndodhen ne banesat e qytetit, të cilat qasjen ne hyrjet e tyre i kanë të rregulluar me kartela, si dhe tek ato që kanë të angazhuar mirëmbajtëse në këto objekte, e që sipas tij duket se janë duke u larguar fletushkat informuese me të cilat bëhet e ditur se janë vizituar nga regjistruesit e ASK-së, por që sipas tij, në ato banesa nuk ka qenë i pranishëm askush – e që ka shtuar se kjo po ndodhë edhe në disa shtëpi.
Koordinatori i ASK-së në territorin e Pejës, Kelmendi gjithashtu ka theksuar edhe faktin se ka pasur familje të cilat kanë refuzuar që të regjistrohen, mirëpo informimi mbi gjobat eventuale kanë bërë që ata të ndryshojnë qëndrim, sikurse nuk ka lënë pa përmendur edhe rolin bashkëpunues nga kryetarët e këshillave lokal, të cilët sipas tij, në të shumtën e rasteve kanë asistuar për të bindur qytetarët e lagjeve përkatëse.
Për më tepër ai ka bërë të ditur se deri më tani në Pejë janë regjistruar 95 përqind e popullsisë, kurse njofton se tashmë për qytetarët dhe ekonomitë familjare që kanë mbetur pa regjistruar për arsye të ndryshme janë hapur zyra e ASK-së që ndodhet në objektin e rrokaqiellit, përballë Gjykatës Themelore në Pejë, si dhe edhe një pikë tjetër në hollin e objektit të Kuvendit Komunal, me qëllim që askush të mos mbetet pa u regjistruar.
Ndryshe, regjistrimi i popullsisë ka nisur me 5 prill 2024 dhe përfundon me 17 maj të këtij viti, kurse sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi./Pejanefokus.net