Tek spitali i Përgjithshëm në Pejë, krahas shumë aktiviteteve të tjera shëndetësore, kryhet edhe procesi i lindjes – ku mesatarisht sipas publikimeve të institucionit realizohen 20 deri në 30 lindje në javë – ndërsa proces me rëndësi është edhe vaksinimi i tyre.
Për fillim të shëndetshëm të foshnjave të porsalindura, vaksinimi është një hap i rëndësishëm, për çka në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë – reparti i Neonatologjisë jepen vaksinat kundër Tuberkulozit dhe Hepatitit B, për të gjitha foshnjat e Rajonit të Pejës pavarësisht se ku ka lindur foshnja, tek Spitali ynë apo tek Spitalet private.
“Këto dy vaksina duhet të jepen menjëherë pas lindjes, ndërsa më pastaj pas 1 muaji, foshnja hynë në programin e vaksinimit që mbikëqyret nga Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare”- thuhet nga ky spital.
Por, çfarë janë vaksinat BCG (kundër tuberkulozit) dhe kundër Hepatit B?
Vaksina BCG krijon mbrojtje kundër Tuberkulozit. BCG ndihmon në parandalimin e formave të rënda të tuberkulozit, sidomos tek foshnjat. Vaksina BCG përdoret gjerësisht dhe është shumë e sigurt.
Vaksina kundër Hepatitit B krijon brojtje që në fillim: Foshnjat mund të marrin virusin nga nëna gjatë lindjes. Vaksina kundër Hepatitit B është shumë efektive dhe e sigurt.
“Prindër të dashur, ndiqni kalendarin e vaksinimeve për foshnjat tuaja. Konsultohuni me mjekun tuaj për t’u siguruar që fëmija juaj po merr vaksinat në kohën e duhur”- shtohet tutje.
Sipas këtij spitali, vaksinimi sot është një investim për një të ardhme të shëndetshme për fëmijët tuaj.
Për t’u përkujdesur për këtë proces, në institucionin e këtij spitali funksionon edhe një repart: Neonatologjia – Repart i rëndësisë së veçantë
Reparti i Neonatologjisë në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë është i dedikuar për kujdesin sa më të mirë për foshnjat e porsalindura.
Me një ekip të përkushtuar profesionistësh prej 4 Mjekëve Specialist të Neonatologjisë dhe 12 Infermiereve si dhe me pajisje të nevojshme, ne sigurojmë që çdo foshnje e porsalindur të marrë kujdesin më të mirë të mundshëm nga dita e parë e jetës.
Shërbimet përfshijnë:
• Ekzaminimi dhe trajtimin e foshnjave te lindura para terminit (premature) dhe foshnjave të cilët kane nevoje për trajtim;
• Monitorimi i vazhdueshëm i të porsalindurve dhe trajtim në rast nevoje në kujdesin intensiv neonatal me oksigjeno terapi dhe CPAP nasal;
• Qendër referente për vizita dhe trajtim të të gjithë porsalindurve për Komunat Pejë, Istog, Deçan dhe Klinë;
• Mbështetje dhe këshillim për prindërit e rinj!
Punohet çdo ditë, për të siguruar një fillim të shëndetshëm dhe të lumtur për çdo fëmijë. Stafi ynë është gjithmonë i gatshëm për të ofruar shërbimet e nevojshme.
Adresa: Spitali i Përgjithshëm, Pejë Kontakti: +383 44 50 20 28 /pejanefokus.net