Të gjithë personat (tatimpaguesit) të cilët krijojnë të ardhura nga aktiviteti i tyre si “Influencer/Ndikues”, janë të obliguar të deklarojnë dhe paguajnë tatimin sipas rregullave mbi objektin e tatimit, bazuar në legjislacionin tatimor të Kosovës në fuqi.
Deklarimi dhe pagesa e tatimit për të ardhurat nga aktiviteti si “Influencer/Ndikues”, bëhet varësisht nga ofrimi i shërbimeve të tilla:
Si i punësuar; apo si biznes.
Kur shërbimi si “Influencer/Ndikues” ofrohet nga personi si i punësuar, të ardhurat nga paga i nënshtrohen tatimit të mbajtur në burim nga punëdhënësi vendor, ndërsa nëse i punësuari gjendet në Kosovë dhe punëdhënësi jashtë Kosovës, atëherë personi përfitues (i punësuari) obligohet që individualisht të deklaroj dhe paguaj tatimin dhe kontributin pensional.
Deklarimi dhe pagesa e tatimit për të ardhurat nga aktiviteti “Influencer/Ndikues” mund të bëhet përmes Sistemit Elektronik EDI, në dy mënyra:
Përmes Formularit “DI” – Formulari i deklarimit vjetor dhe pagesës për tatimin në të ardhurat personale për individ, në afatin e përcaktuar ligjor, nga data 01.01.XX deri më 31.03.XX të vitit vijues për vitin paraprak; apo përmes Formularit WM/CM- Pasqyra mujore e tatimit në burim dhe kontributeve pensionale, në afatin e përcaktuar ligjor, nga data 01 deri më 15 të muajit vijues për muajin paraprak.
Ndërsa, kur shërbimi si “Influencer/Ndikues” ofrohet në mënyrë të pavarur, konsiderohet që personi zhvillon aktivitet ekonomik dhe duhet të regjistrohet në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Deklarimi dhe pagesa e tatimit për të ardhurat nga aktiviteti ekonomik si biznes i regjistruar në Kosovë bëhet:
Sipas normës 9% në qarkullimin bruto; apo
Sipas rregullave ligjore për të ardhurat reale.
Gjithashtu, të ardhurat nga aktiviteti ekonomik duhet të trajtohen sipas rregullave ligjore edhe për qëllime të TVSH-së./ATK/Pejanefokus.net.