Një vajzë me inicialet A.D, e cila mësohet se është nxënëse në Gjimnazi n “Bedri Pejani” në Pejë, raportohet se është larguar nga shkolla nga ana e drejtorit të saj, Musa Nikçi, për shkak të bartjes së shamisë, ndërsa ky i fundit, i kontaktuar nga “Peja në Fokus” thotë se e ka zbatuar ligjin.
Largimin e nxënëses A.D nga shkolla e Gjimnazi “Bedri Pejani” e ka bërë të ditur drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Paqe, Labinot Maliqi, gjatë një konference të mbajtur sot (e hënë), para Ministrisë së Arsimit në Prishtinë.
“Aktualisht jemi në javën e katërt që nxënësja 18 vjeçare, A.D nga Gjimnazi ‘Bedri Pejani’ në Pejë, ka mbetur në shtëpi, pasi që ajo u largua nga shkolla më 2 shtator, ditën e parë të vitit të ri shkollor, për shkak të bartjes së shamisë. Me urdhër të drejtorit Musa Nikçi dhe ky largim u bë pa ndonjë vendim zyrtar. Kjo vajzë nuk i ka bëre keq askujt, përvec se don të arsimohet si cdo nxënëse tjetër. Shpresoj dhe uroj që drejtori Musa Nikçi, i Gjimnazit ‘Bedri Pejani’ në Pejë, do ju bashkohet kolegëve të tij, të cilët e kanë kuptuar se një nxënëse e asaj moshe mund të vendos vet për jetën e vet. Nuk dëshiroj që vajza A.D të detyrohet të shpërngulet në Prishtinë, apo në ndonjë komunë tjetër, për tu arsimuar, ku stafi i këtyre shkollave nuk e sheh si problem bartjen e shamisë. Peja gjithmonë ka qenë në krye të qytetarisë dhe trendeve bashkohore. Ne jemi në shekullin 21, ku njerëzit munden me qenë besimtarë, apo mosbesimtarë, aq sa të dëshirojnë se një vajzë me mbulesë nuk e kërcënon karakterin e Pejës, apo ndokujt tjetër”- ka thënë Maliqi mes tjerash në këtë konferencë.
Nga ana tjetër, lidhur me rastin “Peja në Fokus” ka kontaktuar me drejtorin e Gjimnazit “Bedri Pejani”, Musa Nikçi i cili ka thënë se:”Ligji është në pyetje, udhëzimi është, kanë raste të tjera mjaft. Ata i kanë rastet e tjera që familjet e veta nuk po i lojnë me ardhë në shkollë. Mua nuk më bën përshtypje fare. Është ligji në pyetje. Merret ministria me atë e jo unë. Unë jam për me zabtu ligjin dhe atë çka thotë udhëzimi”
Lidhur me këtë rast, “Peja në Fokus” ka kontaktuar edhe me zv.Ministrin e Arsimit, Taulant Kelmendi, i cili tha se:”Ne si MAShTI nuk kemi pranuar asnjë njoftim zyrtar, ankesë apo adresim nga nxënësja ose familjarët e saj. Me sa jemi njoftuar as Drejtoria Komunale e Arsimit nuk ka pranuar asnjë ankesë dhe nuk ka asnjë vendim nga Drejtoria e Shkollës për rastin që po pyesni. Ne si MAShTI jemi vazhdimisht të angazhuar që asnjë nxënësi të mos i mohohet e drejta e mësimxënies”
Për të shkuar tutje, “Peja në Fokus” ka kontaktuar edhe me drejtorin e Arsimit në Komunën e Pejës, Naser Gega, i cili tha se: “Nxënësja nuk është përjashtuar, ajo është pezulluar. Vendim më shkrim nuk ka, por jemi të njoftuar vetëm gojarisht nga drejtori i shkollës. Në momentin që ajo e largon shaminë, mund të kthehet në shkollë. Ndërsa udhëzimet administrative ne nuk i komentojmë, por vetëm i zbatojmë. Ajo punë i takon Ministrisë së Arsimit dhe zyrtarëve të saj”.