Si mund t’i qasemi Arkivit Ndërkomunal në Pejë ? – Vendim i ri për qasje 

Agjencia e Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK), e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve(MKRS), në qershor të vitit 2024 ka nxjerrë vendimin i cili ndalon që palët të cilat kërkojnë për tu paisur me dokumentet që janë të arkivuara në Arkivin Qendror si dhe arkivat ndërkomunale – njëri prej të cilëve funksionon edhe në Pejë – të shërbehen sipas formës standarde, apo të drejtpërdrejt.

Sipas këtij vendimi të nënshkruar nga Drejtori Ekzekutiv i ASHAK-ut, Bislim Bislimi, palët të cilët duan që të pajisen me dokumentet e arkivuara në Arkivin Qendror, si dhe akrivat ndërkomunale, kërkesat e kësaj natyre “pranohen, shqyrtohen dhe administrohen përmes kanaleve zyrtare, përkatësisht sistemeve që akordohen ndërmjet ASHAK dhe Postës së Kosovës” – duke bërë kështu që kërkesat e qytetarëve të dërgohen përmes kësaj të fundit.

I kontaktuar nga Redaksia e portalit ‘Peja në Fokus’, drejtori Bislimi sqaron se sipas Ligjit Nr. 08/L-111 për Arkivat, arkivat ndërkomunale, çfarë është ai i Pejë, janë pjesë e rrjetit arkivor, respektivisht strukturës së ASHAK-ut.

“Arkivat e qyteteve, pra arkivat komunale, nuk janë të parashikuar më ne Ligjin Nr.08/L-111 për Arkivat dhe rrjedhimisht ato duhet të shuhen apo shkrihen nëpër arkivat ndërkomunale. E arkivi i Pejës nuk është arkiv komunal, por ndërkomunal, pra regjional dhe si i tillë do të funksionojë e do të ristrukturohet në drejtim të reformimit e modernizimit të plotë”.- thotë Bislimi për portalin ‘Peja në Fokus’.

Duke folur rreth kësaj çështje, drejtori Bislimi tregon se çka qytetarët mund të gjejnë të arkivuar në këto arkiva, duke përfshirë edhe Arkivin Ndërkomunal të Pejës.

“Është material i mbledhur, përpunuar dhe arkivuar që në masë të madhe vjen nga funksionimi i institucioneve, organizatave dhe individëve në regjionin e Pejës, që kanë funksionuar së paku nga viti 1943, e më tutje deri ne vitet 1996”- thotë ai.

Ndryshe me informacionet që portali ‘Peja në Fokus’ ka arritur që të pranojë, lidhur me Arkivin Ndërkomunal në Pejë, mësohet se ky arkivi funksionon që nga viti 1969, në kuadër të të cilit përfshihen dokumentacionet e qytetit të Pejes, me fshatrat përreth.

Brenda këtij arkivi janë të arkivuara 110 fonde dokumentesh të ndryshme, në kuadër të 670 metra gjatësije, ndërsa punohet në çdo ditë pune dokumenteve janë të subjekteve tashmë të shuara, dokumenacione nga Kuvendi dhe Komuna e Pejës, gjykatave, si ajo e Qarkut e cila ka funksionuar deri vonë, si dhe ajo komunal, të cilat kanë nxjerrë lëndë penale dhe civile, trashegimie e konteste të ndryshme, sikurse edhe dokumentacione të shkollave fillore dhe të mesme, institucioneve arsimore që nga viti 1944, dokumente nga Këshillat popullore, që nga paslufta e dytë botërore.

Ndryshe, Arkivi Ndërkomunal në Pejë ndodhet në rrugën “Nënë Tereza”, në Pejë, si dhe funksionon në kuadër të MKRS-së, ndërsa me vendimin e fundit të nxjerrë nga ASHAK, qytetarët mudn të qasen për kërkim dhe paisje me dokumentet e arkivuara, me anë të procedimit në raport me ASHAK, përmes Postës së Kosovës./Pejanefokus.net.