Ferid Gjikolli lindi më 10 dhjetor 1949 në Pejë. Studimet i përfundoi në Fakultetin Juridik në vitin 1971, në moshën 22-vjeçare. Menjëherë pas diplomimit, filloi punën në Gjykatën e Pejës dhe vetëm një vit më vonë, në moshën 23-vjeçare, u zgjodh gjyqtar.
Ai shërbeu si gjyqtar deri në vitin 1982, kur në moshën 33-vjeçare u zgjodh kryetar i Komunës së Pejës.
Si kryetar komune, ai përballoi presionin dhe përpjekjet e vazhdueshme të regjimit serb për ta shkarkuar, por qëndroi i vendosur në mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe autonomisë së Kosovës.
Ai luajti një rol të rëndësishëm në mbështetjen e delegatëve shqiptarë në Kuvendin e Kosovës, për të kundërshtuar suprimimin e autonomisë.
Pas largimit nga posti i kryetarit, në vitin 1992, me iniciativën e tij dhe të bashkëveprimtarëve të tjerë, u themelua qeveria lokale paralele e Pejës, si simbol i rezistencës ndaj regjimit serb.
Për shkak të këtij angazhimi, shumë funksionarë të qeverisë lokale paralele u arrestuan nga autoritetet serbe.
Gjatë kësaj periudhe, Ferid Gjikolli shërbeu si avokat vullnetar (pa pagesë), duke mbrojtur të burgosurit politikë dhe duke kontribuar në lirimin e tyre nga burgu.
Me fillimin e luftës në vitin 1998, ai bashkë me veprimtarin Riza Lluka organizuan mbledhjen e mjeteve financiare për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Këto fonde, të mbledhura nga qytetarë të pasur të Pejës dhe nga burimet e tij personale, Ferid Gjikolli i dorëzoi personalisht në shtabin e UÇK-së në Gllogjan, në kushte jashtëzakonisht të rrezikshme.
Gjatë periudhës së dëbimit masiv të popullsisë shqiptare në vitin 1999, ai veproi nga Ulqini, duke ndihmuar në organizimin dhe rekrutimin e ushtarëve për Betejën e Koshares.
Kontributi i tij ndihmoi në forcimin e radhëve të UÇK-së dhe në përgatitjen për rezistencë të mëtejshme.
Edhe pas çlirimit të Kosovës, Ferid Gjikolli vazhdoi kontributin e tij në rindërtimin e institucioneve të Pejës.
Ai ishte një nga figurat kryesore në rithemelimin e Gjykatës së Pejës dhe organeve të drejtësisë.
Po ashtu, dha një kontribut të jashtëzakonshëm në hartimin e statutit të parë të komunës pas luftës.
Përveç kontributit të tij në drejtësi dhe qeverisjen lokale, Ferid Gjikolli mbështeti edhe Bashkësinë Islame të Pejës, duke i përfaqësuar ata si avokat vullnetar, sa herë që kishin nevojë për ndihmë ligjore.
Përkundër sëmundjes së tij në muajt e fundit të jetës, ai nuk e ndaloi punën.
Deri në ditët e fundit, ai mbeti i përkushtuar ndaj drejtësisë dhe ndaj njerëzve që kishin nevojë për ndihmën e tij.
Gjikolli ndërroi jetë në moshën 75 vjeçare, më 29 janar 2025, por që si një intelektual dhe njeri shumëdimensional, e një politikan i guximshëm, si dhe profesionist i jashtëzakonshëm dhe një humanist i palodhur, trashëgimia e tij do të mbetet e gjallë në historinë e Pejës dhe të gjithë Kosovës./Pejanefokus.net