Personat me sindromën Down në Pejë të papunësuar – institucionet “mbyllin sytë”

Në Kosovë numërohen mbi 980 persona me sindromën Down, e 70 prej tyre thuhet se janë në Pejë. Pavarësisht kuotave ligjore që obligojnë punësimin e personave me aftësi të kufizuara, asnjë individ me sindromën Down nuk është i punësuar në institucionet publike të Pejës.

Koordinatorja e OJQ “Qendra për Jetë të Pavarur”, Fitore Cena Haxhihasani, për portalin Peja në Fokus’ konfirmon se nga qendra e tyre përfitojnë 12 persona me këtë sindromë, për dallim nga viti i kaluar kur ishin vetëm 9.

Ajo thekson se, megjithëse janë të aftë për punë, përpjekjet për t’i integruar në tregun e punës kanë hasur në mungesë bashkëpunimi nga bizneset.

Albion Kelmendi, ushtrues detyre i shefit të Personelit në Komunën e Pejës, ka deklaruar për ‘Peja në Fokus’ se janë të punësuar 5 persona me aftësi të kufizuara, por asnjëri me sindromën Down.

Ligji Nr.03/L-019 obligon çdo punëdhënës që për çdo 50 punëtorë të punësojë një person me aftësi të kufizuara ose të paguajë kontribut prej 1% në buxhetin e shtetit për punësimin e tyre.

Përveç ‘Qendrës për Jetë të Pavarur’,  organizata si ‘HandiKos’ dhe ‘Pema’ po ashtu kanë konfirmuar për ‘Peja në Fokus’ se nuk kanë arritur të integrojnë persona me sindromën Down në punësim.

Ndërkohë, çdo 21 mars, Dita Botërore e Sindromës Down rikthen në vëmendje nevojën për më shumë ndërgjegjësim dhe përfshirje.

Institucionet lokale duhet të veprojnë përtej statistikave dhe të sigurojnë që këta persona të kenë mundësi të barabarta në tregun e punës. /Pejanefokus.net