A po paguajnë fermerët e Pejës për subvencionin? – Drejtoria e Bujqësisë nuk përgjigjet për njoftimin e postuar vetëm në një faqe jozyrtare.
Një njoftim i rëndësishëm për fermerët është publikuar më 18 prill 2025 në një faqe me emrin “Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi Pejë”, por që deri më tani kur u publikua ky artikull nuk është shpërndarë në faqen zyrtare të Komunës së Pejës, siç zakonisht ndodh me aktivitetet e kësaj drejtorie.
Sipas njoftimit, fermerët përfitues të projektit “Furnizim me mekanizëm bujqësor për fermerë” duhet të paraqiten për pagesë në periudhën 22.04 – 25.04.2025 pranë zyrave të Drejtorisë. Pas këtij afati, thuhet se humbet e drejta e përfitimit.
Kjo ka ngritur disa pikëpyetje legjitime:
- Çfarë nënkupton saktësisht kjo thirrje për publikun dhe për fermerët?
- A bëhet fjalë për një pagesë pjesore nga fermerët për pajisjen që u është ndarë?
- A është kjo pjesë e një subvencioni apo bashkëfinancimi mes Komunës dhe fermerit?
- Çfarë pasoje konkrete ka për fermerin nëse nuk paraqitet brenda afatit të përmendur?
- Përse ky njoftim nuk është publikuar në faqen zyrtare të Komunës së Pejës?
Peja në Fokus ka dërguar pyetje zyrtare te drejtori i kësaj drejtorie, z. Tahir Shala, që më 18 prill 2025, por deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Vlen të theksohet se drejtori Shala ka refuzuar të përgjigjet edhe lidhur me menaxhimin e projektit për qentë endacakë, për të cilin janë ndarë mbi 200 mijë euro nga buxheti komunal.
Refuzimi i tij i vazhdueshëm për t’u përgjigjur për çështje me interes publik mendojmë se vjen pas raportimit të “Peja në Fokus” se ai është i dënuar me 20 muaj me kusht për vjedhje vote.
https://www.facebook.com/share/p/1BtuSw1QvQ/?mibextid=oFDknk
Peja në Fokus do të vazhdojë të ndjek këtë temë dhe të kërkojmë përgjegjësi dhe transparencë për secilin projekt që përfshin para publike dhe interes qytetar./Pejanefokus.net.