A do të shtrenjtohet buka dhe kafeja edhe në Pejë?

Pas paralajmërimeve për ngritje të çmimeve në shumë qytete, edhe në Pejë është ngritur shqetësimi për shtrenjtimin e disa produkteve ushqimore edhe në Pejë, siç janë buka dhe kafeja.

Pronari i një furre buke në Pejë, Sejd Shatri citohet të thotë se disa nga furrat e bukës në këtë komunë veçse kanë nisur që një bukë ta shesin për 80 centë.

“Për momentin është 60 centë, do të shkojë deri në 80 centë, në disa vende të tjera është shtrenjtuar, por te na tash pritet prej një majit”, citohet se tha Shatri për RTV21.

Nga ana tjetër nga produktet më të përdorura është edhe kafeja.

Aktualisht në Pejë një kafe espresso kushton nga 0.70 deri në 1 euro, ndërsa makiatoja e madhe varion nga 1 deri në 1.50 euro.

Peja në Fokus ka kontaktuar me disa gastronomë në qytet, të cilët, ndonëse nuk kanë pranuar të flasin publikisht për shkak të mungesës së një organizimi të përbashkët, kanë thënë se nuk ka ende lëvizje çmimesh.

Sipas tyre, çdo ndryshim eventual do të jetë vendim individual i pronarëve të lokaleve.

Ndryshe pas rastit të vendimit nga ZRRE-ja për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, një nga produktet për të cilat është përfolur se do të ketë rritje çmimesh është edhe produkti i kafesë nëpër kafiteritë e vendit./Pejanefokus.net.