“Flakëresha” e Hoxhës Goga – për Frashër Demajn?

Më 14 maj 2025, në qytetin e Pejës u promovua libri “Kontributi i hoxhallarëve në përpjekje për zgjidhjen e çështjes shqiptare gjatë shekullit XX” nga Prof. Dr. Fahrush Rexhepi. Libri sjell në vëmendje rolin e prijësve fetarë në proceset historike shqiptare, një temë që në vitin 2023 kishte shkaktuar debat të ashpër mes historianëve dhe përfaqësuesve fetarë.

Në atë kohë, historiani Frashër Demaj kishte kontestuar kontributin e hoxhallarëve, duke i përshkruar ata si pjesë e strategjive të huaja që, sipas tij, kanë ndikuar negativisht në vetëdijen kombëtare të shqiptarëve. Kjo deklaratë pati shkaktuar reagime të ashpra, veçanërisht nga hoxhallarët që shërbejnë nëpër institucionet fetare në Kosovë.

“Ka pasur hoxhë edhe që janë pagu, po edhe rus po, absolutisht po edhe rus, ka fol shqip po i kanë trajnu këta. Kanë pas shkolla speciale. Këta kanë dërgu edhe priftërinj ortodoks në Bullgari për me i bind bullgarët që shpëtimi i tyre është nëse ata do të jenë pjesë e Serbisë. Pra është strategji serbe që e kanë përdorë aty ku kanë mujt. Pra atje kanë dërgu priftërinj serb e këtu kanë dërgu hoxhallarë me i bind që mos i dërgoni fëmijët në shkollë, mbani vetëm nëpër xhamia edhe shqiptari nuk bën me shku në shkollë së bëhet sh..ka edhe nuk ka kush me i ruajt gjënë nëpër livadhe. Ky është fakt. Është tregim që e kanë përcjellur shqiptarët brez pas brezi”- kishte deklaruar Demaj në nje emision televiziv, burimin e deklaratës së të cilit e gjeni në linkun e bashkangjitur: https://www.facebook.com/watch/?ref=embed_video&v=113582908277566

Një ndër reagimet më të zëshme kishte ardhur nga kryeimami i Këshillit të Bashkësisë Islame në Pejë, Enes ef. Goga, i cili e kishte cilësuar këtë qëndrim si të pavërtetë dhe fyese për myslimanët shqiptarë. Ai kishte paralajmëruar se do të mblidheshin dëshmi konkrete për të kundërshtuar publikisht pohimet që, sipas tij, ishin tendencioze dhe të pabazuara.

“Ai (Frashër Demaj) kurrë nuk do t’ia dalë që të na sjellë një emër të vetëm, emër të përveçshëm me datë dhe me vit e me xhami, se kinse ndonjë hoxhë rus ka kryer shërbime fetare në ndonjë xhami të Kosovës. – Pas këtyre shpifjeve jemi duke tubuar emrat e të gjithë hoxhallarëve që kanë shërbyer në xhamitë e komunave të regjionit të Pejës që nga vitet e largëta. Kemi evidentuar hoxhallarë shumë patriotë”, pati deklaruar Goga, në linkun që ndodhet i bashkangjitur në këtë artikull: https://www.youtube.com/watch?time_continue=192&v=ExmOCdYyctk&embeds_referring_euri=https%3A%2F%2Ftelegrafi.com%2F&embeds_referring_origin=https%3A%2F%2Ftelegrafi.com&source_ve_path=MjM4NTE

Kjo sfidë duket se mori formë në mënyrë simbolike me promovimin e librit të Rexhepit. Gjatë fjalës së tij në promovim, Hoxha Goga e cilësoi librin si një “flakëreshë” për të gjithë ata që kanë kontestuar rolin e hoxhallarëve në historinë kombëtare.

“Ky libër do të jetë një flakëreshë për të gjithë ata që keqpërdorin mediat, duke thënë se hoxhallarët shqiptarë punuan kundër interesit kombëtar.”- tha Goga në ceremoninë e promovimit, transmeton portali Peja në Fokus.

Edhe pse pa përmendur emra, deklarata e tij u kuptua gjerësisht si një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj qëndrimeve të historianit Frashër Demaj, ndërsa ky zhvillim e rikthen në qendër të vëmendjes një debat të ndjeshëm mes përfaqësuesve të historisë zyrtare dhe institucioneve fetare për rolin dhe ndikimin e fesë në proceset kombëtare, debat që me gjasë do të vazhdojë edhe më tej, sidomos kur përfshihet konteksti i trashëgimisë historike dhe identitetit shqiptar./Pejanefokus.net.