Komunat dhe zhvillimi ekonomik: Potenciali i pashfrytëzuar

Autor: Naim Sahiti – Për autorin lexoni në fund të këtij artikulli ndërsa ky shkrim është autorial dhe paraqet mendimet e autorit. Qëndrimet e shprehura nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimin e redaksisë ‘Peja në Fokus’

Partitë politike po përgatiten për zgjedhjet lokal të këtij viti. Nuk besoj që temat dhe natyra e debateve publike do të ndryshojnë shumë nga vitet e kaluara kur kishte zgjedhje lokale.

Nëse do të pyeteshin qytetarët, besoj se shumica do të përgjigjeshin se pesë përgjegjësitë kryesore të komunave në vendin tonë janë: rregullimi dhe mirëmbajtja e ujit të pijshëm, kanalizimeve, mbeturinave, rrugëve dhe dhënia e lejeve ndërtimore. Për këto çështje, edhe mediat më së shumti i “ngacmojnë” komunat duke raportuar për rrugë të parregulluara, ndërtime pa leje, deponi ilegale të mbeturinave, mungesë të ujit apo kanalizimeve.

Nëse e lexojmë Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, vërejmë se kompetenca e parë e komunave është zhvillimi ekonomik. Nuk besoj se renditja është bërë në bazë të rëndësisë – pasi nuk janë më pak të rëndësishme arsimi fillor e i mesëm, shëndetësia primare, planifikimi urban e rural etj. – por në vendin tonë nuk është instaluar ende koncepti se komunat kanë rol aktiv në zhvillimin ekonomik.

Këtu, besoj se edhe mediat kanë “fajin e tyre”, sepse kamerat dhe mikrofonët zakonisht drejtohen te ministritë kur flitet për tema ekonomike. Drejtoritë e Ekonomisë nëpër komuna zakonisht u jepen partive të koalicionit, dhe buxhetet për to janë simbolike – mjaftojnë vetëm për të organizuar ndonjë panair lokal.

Buxhetet komunale rrallëherë kalojnë 1% të buxhetit total për programet e zhvillimit ekonomik, prandaj nuk kemi parë askund “dorën” e komunave në këtë fushë. Pa dyshim, prioritet pas luftës ishin infrastruktura dhe banimi, por me kohën, komunat është dashur të fokusohen në zhvillimin ekonomik për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

Teza se komuna është aty për të krijuar kushte për zhvillim – që zakonisht nënkupton vetëm infrastrukturën – është vetëm gjysma e punës që mund të bëjnë. Komunat, përmes krijimit të kushteve për zhvillim ekonomik, mbështetjes me grante dhe subvencione, partneriteteve publiko-private, e pse jo edhe lobimit për të sjellë investitorë, kanë pasur dhe kanë potencialin të ndikojnë thellësisht në këtë sferë.

Pa dyshim që krijimi i vendeve të punës do të ndalte migrimin – brenda vendit, por sidomos jashtë tij – që është një nga fenomenet më shqetësuese pas luftës, e që fatkeqësisht trajtohet shumë pak. Me biznese të forta, komunat do të fuqizoheshin edhe financiarisht, e me këtë do të mund të investonin më shumë në arsim, shëndetësi dhe fusha të tjera me interes publik.

Një shembull suksesi është Komuna e Teshanjit në Bosnje, që nga një komunë e pazhvilluar formoi një Këshill Ekonomik Lokal, ku përfshiheshin edhe përfaqësues të bizneseve. Ata lehtësuan dhe shkurtuan procedurat administrative dhe përcaktuan investimet e nevojshme në infrastrukturë dhe në arsim profesional, sipas nevojave të tregut. Sot, kjo komunë me rreth 45 mijë banorë ka mbi 1000 biznese të vogla dhe të mesme. Normalisht, ata shfrytëzuan fonde evropiane dhe donatorë të tjerë, por investuan edhe nga buxheti i tyre për të arritur këtë sukses.

Raste të tilla mungojnë në Kosovë, edhe në komunat që kanë biznese të forta. Bizneset janë ato që e dinë më mirë se çfarë u nevojitet atyre dhe partnerëve të tyre për të sjellë investime në komunën përkatëse.

Për të nxitur komunat që të angazhohen seriozisht në sjelljen e investitorëve dhe në zhvillimin ekonomik, niveli qendror duhet të ndryshojë mënyrën e shpërndarjes së të hyrave nga tatimi në paga dhe ai në korporata. Gjysma e këtyre dy tatimeve – pra 50% – duhet të mbetet në komunën ku jeton dhe punon tatimpaguesi.

Me rreth 230 milionë euro që do të mbeteshin në komuna çdo vit, ato do të mund të investonin më shumë dhe më seriozisht në zhvillim ekonomik. Në të njëjtën kohë, do t’u ofronin kushte më të mira qytetarëve që kontribuojnë përmes këtyre tatimeve. Kjo do të nxitë konkurrencën pozitive midis komunave për të tërhequr më shumë investime, pasi më shumë investime do të thotë më shumë të hyra, më shumë shërbime dhe më shumë zhvillim.

Komunat duhet të investojnë në zhvillim ekonomik, sepse kjo krijon vende pune, rrit të ardhurat lokale dhe përmirëson cilësinë e jetës së qytetarëve. Përmes një ekonomie të fortë lokale, komunat bëhen më të qëndrueshme financiarisht, tërheqin investime të reja dhe rrisin mirëqenien sociale.

Autori ka punuar si Drejtor Komunal dhe ka shërbyer si Asambleist. Ka kryer Gazetarinë dhe po ashtu ka Master në Menaxhim Publik.