Doktori pejan frymëzim për mjekët e rinj shqiptarë në majat e mjekësisë gjermane

Frymëzim për mjekët e rinj shqiptarë: Dr. Arzen Balidemaj – në rrugëtimin në majat e mjekësisë gjermane, vjen me një tjetër sukses.

Pas një ekspertize fantastike në mjekësinë gjermane, duke shënuar një rekord mbresëlënës – në shtetin më të fuqishëm evropian – prej mbi 100 implantimesh të endoprotezave (protezave të nyjeve) të realizuara me sukses brenda një viti në Gjermani, sikurse askush dhe askund më parë, Dr. Balidemaj tani është emëruar si Shef i Seksionit për Kirurgji Artroskopike, Kirurgji të Ruajtjes së Nyjeve dhe Traumë Sportive në Spitalin St. Georg Klinikum Eisenach, në njërën nga qendrat më të rëndësishme të trajtimit ortopedik në rajon.

Rrugëtimi i Arzenit është dëshmi e gjallë se ëndrrat realizohen me përkushtim, guxim dhe punë të palodhur. Nga auditorët e Fakultetit të Mjekësisë në Kosovë, ai u nis drejt Gjermanisë – një prej vendeve me sistemin më rigoroz dhe konkurrues shëndetësor në Evropë – për të ndjekur një ëndërr profesionale që shumëkush mund ta konsideronte të pamundur. Mundi i tij u shpërblye me arritje të jashtëzakonshme, kur arriti të përfundojë me sukses specializimin në Ortopedi dhe Traumatologji në Bundeslandin e Hessenit – një ndër shtetet federale më sfiduese për mjekët e huaj në Gjermani.

Për shumë profesionistë të rinj nga Kosova, hyrja dhe integrimi në sistemin mjekësor gjerman mbetet një sfidë e madhe – për shkak të barrierave gjuhësore, kulturore dhe administrative. Por Dr. Balidemaj, falë përgatitjes së tij të palëkundur dhe etikës së punës, i kaloi me sukses të gjitha këto pengesa.

Pas përfundimit të specializimit, ai u emërua si Mjek Kryesor (Oberarzt), një pozitë me përgjegjësi të lartë dhe ndikim të drejtpërdrejtë në trajtimin e pacientëve dhe drejtimin e stafit mjekësor. Së fundmi, Dr. Balidemaj ka marrë drejtimin si Shef i Seksionit për Kirurgji Artroskopike, Kirurgji të Ruajtjes së Nyjeve dhe Traumë Sportive në St. Georg Klinikum Eisenach, një nga spitalet më të njohura për trajtimet ortopedike në rajon.

Ai është dëshmuar jo vetëm si një profesionist i shkëlqyer, por edhe si një ambasador i heshtur i vendit të tij – duke përfaqësuar me dinjitet mjekësinë shqiptare në një nga sistemet më elitare evropiane.

Pavarësisht angazhimeve e obligimeve profesionale, lidhja e doktorit me vendlindjen është e fortë dhe e çimentuar, ku përveç vizitave fizike, ai ka mbetur një mbështetje e palëkundur për bashkëatdhetarët e tij. Me përkushtim dhe përulësi, ai ka ndihmuar në organizimin dhe orientimin e dhjetëra pacientëve nga Kosova për trajtim në Gjermani, shpeshherë në raste të ndërlikuara që kërkojnë ekspertizë të lartë.

Andaj, duke hyrë në faqet e arta të historisë së mjekësisë gjermane, Dr. Arzeni është krenari dhe mburrje për vendlindjen, Kosovën dhe shqiptarët./Pejanefokus.net