Peja dy vite pas vërshimeve tragjike – dhimbja mbetet, shumë pyetje pa përgjigje

Në natën mes 24 dhe 25 qershorit 2023, reshjet e dendura të shiut shkaktuan vërshime të mëdha në qytet, të cilat morën jetën e një nëne dhe të birit të saj pesëvjeçar nga familja Ademaj, në lagjen “Asllan Qeshme”, duke bërë që kjo të kujtohet si një prej ngjarjeve më të dhimbshme që ka përjetuar Peja pas luftës.

Përveç humbjes së jetës, dëmet materiale ishin të mëdha: rrugë të bllokuara, biznese të përmbytura, vetura të përmbysura dhe mbi 300 kërkesa për kompensim dëmi të dorëzuara në Komunën e Pejës.

Vlera totale e dëmeve të vlerësuara nga komisioni komunal kapërceu shifrën prej 2 milionë eurosh, por deri më sot, nga Qeveria e Kosovës nuk ka pasur asnjë përgjigje apo ndihmë konkrete.

Dy vite më vonë, në maj 2025, krahas punëve në infrastrukturë publike që ngjarjet e tilla të mos perrseriten, Asambleja e Komunës së Pejës miratoi një vendim për t’ia ndërruar pronën familjes Ademaj – nga vendi ku ndodhi tragjedia, në një pronë tjetër.

Megjithatë, kërkesat që të ndihmoheshin edhe banorët tjerë të lagjeve të prekura, përmes rialokimit të mjeteve buxhetore, nuk u përfshinë në vendimet e fundit të komunës.

Kjo ngjarje mbetet plagë e hapur në kujtesën e qytetarëve të Pejës – jo vetëm për dhimbjen e shkaktuar, por edhe për pritjet që nuk u përmbushën./Pejanefokus.net.