Florina Sadiku, punëtore e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Pejës, ka dhënë një shembull të rrallë dhe frymëzues të dashurisë së vërtetë dhe përkushtimit familjar. Ajo ia dhuroi veshkën bashkëshortit të saj, Besnikut, i cili po përballej me probleme serioze shëndetësore.
Florina e ka bërë të ditur këtë vet për portalin “Peja në Fokus”, ndërsa ka ndarë edhe disa momente të saj, nga ky akt për lexuesit tonë.
“Gjendja shëndetësore e Besnikut vetëm sa keqësohej,” rrëfen Florina për ‘Peja në Fokus’. “Bëmë një vizitë te doktoresha Vjollca Godanci, dhe ajo ishte e para që na përmendi mundësinë e transplantit.”- nis biseden ajo, ndërsa tregon se nuk ka qenë një vendim i lehtë.
“Jo, nuk kam qenë shumë e vendosur që herën e parë kur është përmendur transplanti. Por, kur është në pyetje jeta e familjarit, besoj që çdo njeri do të vepronte njësoj.”
Por, besimi dhe shpresa e mirë i dhanë forcë për të bërë këtë hap të madh.
“Besimi në sukses dhe ndenja se pas intervenimit do të jetë çdo gjë në rregull më shtynë të marr vendimin.”- shprehet e emocionuar Sadiku.
Por se ku e gjeti ajo forcën në ditën e operacionit, ajo thotë se: “Isha e vendosur, u mbështeta në Zot, dhe pas operacionit, kur e kuptova që çdo gjë kishte përfunduar me sukses, ndjeva një lumturi të madhe.”
Procesi i transplantimit kaloi me sukses dhe të dy tani ndodhen në fazën e rikuperimit.
“Procesi kaloi mirë, çdo gjë ishte nën kontrollin mjekësor, dhe falë Zotit të dy jemi mirë.”- shton ajo.
Ky akt i Florinës ka ngjallur shumë mbështetje dhe përgëzime nga familja, kolegët dhe komuniteti i Pejës.
“Të gjithë më kanë përgëzuar dhe uruar për veprimin e marrë; familjarët më kanë mbështetur maksimalisht, edhe pse si autore e familjes e di që kanë qenë shumë të merakosur për mua.”- thotë tutje Florina për “Peja në Fokus”
Në fund, Florina ka një mesazh të qartë për të gjithë ata që ndodhen në situata të ngjashme:
“Nëse janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kjo vërtetohet nga ekipi mjekësor, mos të hezitojnë për të shpëtuar jetë.”/Pejanefokus.net.