Në Laboratorin e Mikrobiologjisë Klinike, në kuadër të Institutit të Shëndetit Publik – dega në Pejë, çdo ditë zhvillohet një punë e heshtur, por vendimtare për shëndetin e qytetarëve.
Profesioniste me përvojë
Dr. Nita Turjaka, specialiste e mikrobiologjisë klinike, prej vitesh kujdeset për diagnostikimin e sëmundjeve infektive. Për të, puna në laborator është më shumë se profesion – është mision.
“Çdo analizë është një hallkë në zinxhirin e shëndetit publik. Mbase qytetarët nuk na shohin shpesh, por ne jemi aty për ta, çdo ditë,” thotë ajo për portalin ‘Peja në Fokus’.
Brezi i ri në mjekësi
Krahas saj po rritet edhe brezi i ri. Dr. Mondi Mulhaxha, specializant i mikrobiologjisë, po dëshmon se përkushtimi i të rinjve është garanci për të ardhmen e mjekësisë.
“Çdo hap drejt shkencës është një hap drejt një të ardhmeje më të sigurt për qytetarët tanë,” thekson ai për portalin ‘Peja në Fokus’.
Nga pandemia tek përditshmëria
Laboratori i mikrobiologjisë në Pejë ka luajtur rol kyç gjatë pandemisë COVID-19, duke realizuar testime të shpejta dhe të sakta.
Përkushtimi i stafit, me në krye Dr. Turjakën, ndihmoi qytetin dhe rajonin të menaxhojnë krizën shëndetësore.
Sot, puna e tyre e përditshme mbetet mburojë për shëndetin publik, duke siguruar që çdo qytetar të marrë diagnostikim të drejtë dhe në kohë.
Fotografia e Dr. Turjakes dhe Dr. Mulhaxhes në laborator është simbol i bashkëpunimit, përkushtimit dhe frymëzimit mes brezave./Pejanefokus.net.