Banorët e rrugës “Mustaf Nimoni” në fshatin Ramun të Pejës kanë deklaruar se kanë mbetur pa energji elektrike tash e katër ditë pas rrëzimit të disa shtyllave elektrike.
Ata deklarojnë për portalin Peja në Fokus se për shkak të këtij incidenti, rreth 10 shtëpi kanë mbetur pa furnizim me rrymë, duke krijuar vështirësi në jetën e përditshme dhe aksesin në shërbimet bazë.
Sipas banorëve, rasti është raportuar tek KEDS Pejë, mirëpo përveç ndërprerjes së energjisë për arsye sigurie, ende nuk janë ndërmarrë masa për rikthimin e furnizimit.
Lidhur me rastin, Redaksia e Peja në Fokus ka nisur pyetje tek Zyra për Informim e KEDS-it, ndërsa përgjigjja do të publikohet në momentin që do të pranohet.
Ndryshe, ky rast nënvizon nevojën për reagim më të shpejtë të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe monitorim të vazhdueshëm të gjendjes në terren./Pejanefokus.net.
