Në rrugën “Papa Klementi”, afër stacionit hekurudhor në Pejë ndodhen tri blloqe banesore, ku jetojnë mbi 100 familje, në oborrin e të cilave, për shkak të sistemit të ri të organizimit për mbledhjen e mbeturinave, ndërmarrja “Ambienti” ka vendosur 8 shporta 120 litrash për këto familje, që sipas banorëve zbrazen në çdo mbrëmje nëpër kamionët e kësaj kompanie.
Ndërsa përreth këtij lokacioni funksionojnë së paku dhjetë biznese, për të cilat banorët pretendojnë se po i shfrytëzojnë shportat e banesave të tyre për të zbrazur mbeturinat, madje shpesh ndodhë që ato të gjenden edhe jashtë shportave, duke përkeqësuar gjendjen edhe ashtu të rënduar në këtë lagje.
Si pasojë, banorët rrëfejnë rastet jo të ralla kur kanë ndodhur edhe konflikte verbale, mes tyre dhe pronarëve të bizneseve, për shkak të tentimit që të ndalojnë ata për të hudhur mbeturinat aty.
“Çdo ditë kur dalim prej hymjes na shohim paketa të produkteve, e thasë me sende të ndryshme, që veç të banorëve nuk janë, e këto janë shporta për banesat tona. – Na shpesh duhet me u ngatërru me dugojgji, e mundet me ardhë deri te ma e keqja, se ata po mendojnë që na për inat nuk po i lojmë me gjujt këtu bërllog, po na për veti nuk po kemi ku me i lonë tonat. Veç me ndejt me telefona në duar tu i xhiru qysh po i lojnë në këtë pjesë” – shprehet banori D.V.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e këtyre bizneseve pretendojnë se e drejta që mbeturinat t’i hudhin në këto shporta është edhe në anën e tyre, pasiqë sipas siç shprehen ata, derisa kamionët e ndërmarrjes “Ambienti“ po vinë tua marrin mbeturinat, ato po shpërndahen nga qent endacak.
“Na nuk po kemi ku me i mbajt mbrenda, ata nuk po vinë me i marr me rregull, po i qesim jashtë e ato po i shpërndajnë qent e era, kështuqë po i dërgojm atje”- thotë njëra nga punonjëset e një lokali biznesor në këtë lokacion.
Përderisa nga kompania në fjalë thonë se kamionët e tyre bëjn vizitat e rregullta tek bizneset për mbeturina, inspektorët e ambientit në Komunën e Pejës kanë thënë se bizneset janë të detyruara që mbeturinat e tyre ti mbajnë brenda hapësirave deri në kohën e marrjes së tyre, ndërsa ndalohen veprimet e hudhjes së mbeturinave nga bizneset në hapësirat e destinuara për banorë.
Për më tepër inspektorët nuk e mohojnë faktin se kanë pranuar ankesa verbale nga banorët e kësaj lagje, por sipas tyre, ata duhet të procedojnë edhe argumente për pretendimet e tyre/Peja në Fokus.