Pezullimi i zbatimit të Rregullores së orarit të punës për veprimtaritë ekonomike në Komunën e Pejës

Për portalin Peja në Fokus: Prof.ass.dr. Driton Sylqa –Universiteti Haxhi Zeka, Pejë

Rregullorja e orarit të punës për veprimtaritë ekonomike është menduar të rregulloj të drejtat e punëtorëve në marrëdhënie pune për të punuar jo më gjatë se 40 orë në javë konform ligjit të punës.

Rregullorja mund të ketë ndikim pozitiv në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve vetëm sa i përket orarit të punës dhe vetëm nëse instrumentet përkatëse ligjore janë inerte dhe jofunksionale.

Gjithashtu, ajo adreson vetëm aspektin e supozuar të orarit të zgjatur të punës në një gamë të gjerë të kritereve për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, si: mosha e punës, pagesat dhe paga minimale, pushimi vjetor, pushimi me pagesë dhe pa pagesë, siguria në punë, etj.

Pezullimi i zbatimit të saj në kuvendin komunal, me gjasë është motivuar nga efekti negativ që potencialisht mund të ketë patur në performancën e bizneseve.

Sidoqoftë, analizuar nga prizmi ekonomik është evidente se kufizimi i orarit të punës i theksuar me këtë rregullore, lehtësisht mund të cenojë rentabilitetin, produktivitetin dhe fleksibilitetin e punës së bizneseve në sektorin privat.

Bizneset tregtare, p.sh., mund të kenë qarkullim më të madh ditëve të vikendit sesa ditëve të punës.

Nën kushtet e një konkurrence të lirë sa dhe të ashpër në këtë sektor, ndalimi i punës të dielave është hendikep i ndjeshëm dhe barrë e rëndë për këto biznese.

Konsumi i planifikuar në këtë ditë, për shkak të mbylljes së bizneseve në Pejë, logjikisht mund të shkojë në qytete të tjera apo edhe jashtë vendit. – Në këtë mënyrë dëmtohet ekonomikisht sektori privat i tërë komunës së Pejës.

Ndërhyrja në ekonomi me kufizime të tilla, bie ndesh edhe me parimet e ekonomisë së tregut, formë kjo e përcaktuar në nenin 10 të Kushtetutës së Kosovës.

Në anën tjetër, shikuar nga spektri i gjerë, të drejtat e punëtorëve rregullohen me plot mekanizma të tjerë sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës.

Të punësuarit që janë në marrëdhënie pune gëzojnë të drejta që janë të garantuara me Kushtetutë dhe të përcaktuara me Ligjin e Punës në rradhë të parë e më pastaj me aktin e brendshëm të punëdhënësit dhe kontratën e punës.

Rrjedhimisht, të drejtat nga marrëdhënia e punës trajtohen si të drejta të patjetërsueshme dhe të pakufizuara.

Punëdhënësi është i detyruar që t’i respektojë dhe t’iu mundësojnë punëtorëve që t’i realizojnë të drejtat, të cilat ju takojnë nga marrëdhënia e punës.

Në çdo rast kur punëdhënësit apo institucionet nuk i respektojnë të drejtat e punëtorëve, apo ua pamundësojnë realizimin e ndonjë të drejte nga marrëdhënia e punës, vjen deri te kontesti i punës që pastaj adresohet nga inspektorët e punës.

Nëse hipoteza e ngritur në paragrafin e parë është e saktë, atëherë pushteti lokal në bashkëpunim me atë qëndror duhet të shqyrtojë seriozisht funksionalizimin e mekanizmave në dispozicion për të mbrojtur në pako të drejtat e punëtorëve në vend të përpjekjeve që me rregulla orari të ç’rregullojë operimin e lirë të bizneseve.

Ligji i Punës Nr.03/L-212 rregullon të drejtat e punëmarrësve përmes dispozitave themelore dhe të veçanta.

Nevojitet vetëm zbatimi i tij, përforcimi i kontrollit, si dhe monitorimi i vazhdueshëm i shkeljeve eventuale të supozuara nga punëdhënësit./Pejanefokus