Objekti i shkollës së vogël “Haxhi Zeka”, në qytetin e Pejës, që ishte edhe paralelja e ndarë e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Tetë Marsi” në Pejë, – tashmë muze sipas transmetimeve mes gjeneratave, ka qenë një nga shkollat e para nga viti 1915 në territorin e Komunës së Pejës.
Ky institucion qe themeluar nga veprimtari dhe patrioti i shquar shqiptar Haxhi Zeka themelues i lidhjes “Besa-besë” në Pejë për njëzet vitet e para te shek XX.
Ka të dhëna se në Pejë kanë funksionuar tri shkolla shqipe:
Shkolla “Haxhi Zeka” me tri klasa, Shkolla fillore tri klasëshe në Kapeshnicë që ishte nën mbikëqyrjen dhe administrimin e Shkollës “Haxhi Zeka”, Shkolla fillore “Skënderbeu” ku vazhdonin klase të larta nxënësit e dy shkollave të tjera.
Këto shkolla u themeluan me nismën e veprimtarëve shqiptarë dhe u mbrojtën me mjete të popullit.
Në shkollën “Haxhi Zeka” drejtor ishte arbëreshi Toma (Ive) Maroviq , kurse mësues Halit Kastrati, Hamdi Tabaku, Xhevat Shkreli , Hajdar (Shehdula) Berisha , Zef Filip Krasniqi dhe Zef Dule ,ndërkaq punëtor ndihmës ishte Islam Qavolli.
Ndërkaq, lëndet mësimore që mësoheshin asokohe në këtë shkollë janë:
▫️Gjuha Shqipe,
▫️Aritmetika,
▫️Gjeometria,
▫️Historia,
▫️Gjeografia dhe lëndët e shkathtësisë(bukurshkrimi, të kënduarit , gjimnastika dhe punët e dorës), dija e qytetarëve sipas modelit te moralit, historia e natyrës dhe fizika./Pejanefokus.net