QENDRA INOVATIVE RINORE SË SHPEJTI NË PEJË

Së shpejti në Pejë do të hapet qendra inovative, e cila i ka munguar kësaj komune, e që lokacioni i saj do të jetë objekti i qendrës rinore në Vitomiricë të Pejës, duke qenë kështu një shtëpi për të rinjtë dhe zhvillimin e tyre, duke përqafuar madje edhe teknologjinë më të re të 5G.

Kështu të paktën u bë e ditur të enjtën e 9 nëntorit, ku për këtë arsye Komuna e Pejës në bashkëpunim me organizatën NGN kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për shfrytëzimin e objektit të Qendrës Rinore në Vitomiricë, për të ngritur një qendër inovacioni të shfrytëzueshme për të rinjtë e të gjithë rajonit të Pejës.

“Projekti “Building Youth Innovation in Vitomirica” me shtytjen dhe mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të të rinjëve në fushën e teknologjisë informative, mbështjetjen e start-up-eve inovative, zhvillimin e kreativitetit tek të rinjtë dhe mentorimin e tyre, si dhe krijimin e një hapësire punuese për të gjithë duke përfshirë të gjitha komunitetet” – thuhet në njoftimin e kësaj OJQ-je, për të shtuar edhe se:”Kjo marrëveshje është vetëm gurëthemeli i zhvillimit të qendrës inovative dhe bashkëpunimit mes Komunës së Pejës dhe NGN, gjithmonë me mbështetjen e partnerit tonë strategjik – Ambasadës së Amerikës në Prishtinë”.

Informatat të tjera rreth progresit do të publikohen me kohë, ndërsa stafi i NGN ka falënderuar Komunën e Pejës për hospitalitetin dhe përkrahjen e vazhdueshme, sikurse edhe Ambasadën e Amerikës në Prishtinë e cila ka përkrahur idenë vazhdon të mbështesë të rinjtë e Kosovës në zhvillimin e tyre.

Ndryshe, projekti financohet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, në bashkëpunim me Komunën e Pejës dhe NGN./pejanefokus.net