Sejdi (Bajram) Berisha u lind me 10 qershor 1947, ndërsa që në shkollën fillore, filloi të shkruajë poezi, të cilat, së pari i botohen në gazetën “Flaka e Vëllazërimit” të Shkupit e pastaj, në “Pionieri” dhe në “Rilindja për fëmijë”. Nga këtu zë fill edhe zhvillimi i talentit të tij edhe si shkrimtar edhe si gazetar – ai ndërroi jetë në moshën 77 vjeçare, të dielën e 1 dhjetorit 2024, duke lënë prapa afër 40 vepra letrare, përfshirë edhe monografitë për Pejën e tij të bukur.
Si nxënës i gjimnazit të Pejës bashkëpunon me gazetën studentore “Bota e Re”, kurse që nga viti 1970 bëhet bashkëpunëtor mjaft produktiv i gazetës “Flaka e Vëllazërimit”.
Në vitin 1972, punësohet në Radiotelevizionin e Prishtinës, respektivisht, në Radio-Prishtina si korrespondent nga Peja, prej nga raporton dhe informon opinionin e gjerë për ngjarjet dhe aktivitetet e gjithëmbarshme nga ky rajon: Peja, Deçani, Klina dhe nga Istogu. Në këtë detyrë, ai ishte gjithnjë deri në korrik të vitit 1990, kur policia serbe me dhunë i dëbon nga vendet e tyre të punës të gjithë punëtorët shqiptarë të RTP-së(Radiotelevizionit të Prishtinës).
Sejdi Berisha, gjatë punës në Radio-Prishtina ka arritur titullin e Redaktorit të Kategorisë së Parë dhe, përpos që ka përcjellë zhvillimet dhe ngjarjet në territorin e Pejës dhe në tri komunat tjera të cekura më lartë, kohë pas kohe ka raportuar edhe nga ngjarjet dhe tubimet më të rëndësishme anë e kënd ish Jugosllavisë. Ka qenë edhe reporter në manifestimet kulturore, siç ishte Festivali i Teatrove të Jugosllavisë, Festivali Republikan i Teatrove të Kosovës, Serbisë dhe të Vojvodinës dhe Festivali i Teatrove Amatore të Kosovës, të cilat për çdo vit mbaheshin në Trebinje të Bosnjës dhe Hercegovinës, në Kulla të Vojvodinës dhe në Ferizaj të Kosovës. Për punë cilësore dhe profesionale, disa herë është shpërblyer dhe ka marrë mirënjohje. Në ndërkohë, pesë vite ka qenë edhe gazetar-korrespondent i Televizionit të Prishtinës, kurse pas vitit 1980, edhe gazetar i “Rilindjes”.
Ky krijues, publicist dhe kronist, në nëntor të vitit 1982 nxori numrin e parë të gazetës “Peja” dhe ishte themelues i Radio-Pejës (1981). Në vitin 1982 ishte edhe drejtor i këtij institucioni me rëndësi të veçantë informative dhe shoqërore, por duke mos u pajtuar me koncepcionet e udhëheqjes së atëhershme të Kuvendit Komunal të Pejës, nën patronazhin e të cilit ishte edhe Radio-Peja, e që një koncepcion i tillë nuk lejonte hapësirë për punë kreative, cilësore dhe profesionale, tërhiqet nga kjo detyrë dhe sërish kalon me punë në Radio-Prishtina.
Sejdi BERISHA ishte njëri prej punëtorëve më të mirëfilltë të kulturës në Pejë dhe më gjerë. Ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Lidhjes së Gazetarëve të Kosovës. Jetoi dhe veproi në Pejë, ndërsa ishte autor i veprave si më poshtë:
Veprat:
- Kombinati i lëkurë-këpucëve në Pejë (monografi, 1984)
- Tronditje (poezi, 19991)
- Çmendia në rreth (prozë, 1993)
- Feniksi (poezi, 1993)
- Simfoni pritjeje (poezi, 1995)
- Zejtarët e Pejës (monografi, 1995)
- Gabim stinësh (poezi, 1996)
- Në cep koha (poezi, 1997)
- Vrasësi i gjumit (roman, 1999)
- Heraldika (poezi, 2000)
- Lumturia e dhembjes (eseistikë, 2002)
- Freskia e pluhurit (poezi, 2002)
- Piramida e ironisë (eseistikë, 2004)
- Plagë në pikturë (poezi, 2005)
- Fjala e gjakut (tri poema kushtuar Prekazit, Gllogjanit dhe Koshares-2006)
- Shpërputhje kohe (ese, shkrime kritiko-letrare,vështrime jete, 2006)
- Kaq shumë vetmi (poezi të zgjedhura-2007)
- Dashuro një minutë (poezi dashurie-2007)
- Homazhe tek mendja (eseje-2008)
- E bukura e rrugëtimit (këndvështrime letrare-2008)
- Fjalë e pathënë (poezi – 2009)
- Zejtarët e Pejës (monografi-Botimi i Dytë – 2010)
- Kërkoj dhembjen time (poezi – 2011)
- Mallkimi i heshtjes (Shkrime refleksive-2011)
- Teatri i Pejës (monografi-2012)
- Vargje të këputura (poezi-2012)
- Përtej shkrimit (Shkrime të plasura, baladë shkrimesh, kujtime, mendime, vlerësime dhe biseda për njeriun, dhe të tjerët për mua) – 2013
- Gjethet e hirta të zemërimit (poezi – 2014)
- Në lumë bie shi (poezi 2015)
- Konflikti me vetveten (Ese dhe shkrime të tjera 2016)
- Gërshetimi krijues dhe urat letrare (Analiza dhe kënshvështrime letrare 2016).
- Kthim në shtëpinë që nuk ekziston (Poezi të përkthyera në gjuhën greke 2016).
- Varrtarët kush do ti varros (Poezi 2017).
- Zejtarët e Pejës – roli dhe kontributi i tyre në zhvillimin ekonomik dhe kulturor – monografi – Botimi i tretë (2017)
- Valsi i kuq (Dramë e vitit 1976 – e shfaqur në teatrin popullor të Pejës)
- Vdekja e bardhë (1985)
- Misteria (1987)
- Obilesku pa adresë (2005)
Sejdi Berisha do të i mungojë Pejës, ndërsa vdekja e tij e varfëron fushën e intelektualëve edhe ashtu të vogël në numër, të rajonit të Pejës./Pejanefokus.net