Kur Peja i dha botës një kampione olimpike

9 vjet nga historia e artë – Pejania Majlinda Kelmendi e bëri Kosovën kampione olimpike.

Më 7 gusht 2016, Kosova shkroi historinë në skenën më të madhe sportive të botës.

Xhudistja pejane, Majlinda Kelmendi, siguroi medaljen e parë të artë olimpike për Kosovën, në Lojërat Olimpike “Rio 2016”.

Në kategorinë deri në 52 kilogramë, Majlinda dominoi të gjitha luftërat: për 25 sekonda mposhti zviceranen Evelyne Tschopp, pastaj kaloi Christianne Legentil në çerekfinale, dhe në gjysmëfinale eliminoi japonezen e fuqishme, Misato Nakamura.

Në finale, e mposhti italianen Odette Giuffrida, duke e ngritur flamurin e Kosovës në podiumin më të lartë.

“Ishte një rrugëtim i vështirë, me shumë lëndime, por medalja e artë ishte gjithmonë synimi im. Gjithçka e kam bërë për popullin tim”, kishte deklaruar Majlinda pas triumfit.

Pas kthimit në Kosovë, Peja dhe gjithë vendi e priti si heroinë. Një autobus i hapur shoqëroi kampionen nga aeroporti “Adem Jashari” drejt Prishtinës, ku mijëra qytetarë e pritën në sheshin “Nëna Terezë”.

Kjo fitore nuk ishte vetëm një medalje, por simbol i krenarisë, rezistencës dhe sukseseve të një shteti të ri në arenën ndërkombëtare./Pejanefokusℹ️