Arrestohet një person për vrasje të rëndë në komunën e Klinës

Prokuroria e Pejës është aktivizuar menjëherë pas rastit të vrasjes së sotme në Klinë, ku pas plagosjes humbi jetën një person.

“Pejë, 21 mars 2026 – Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, njoftojnë opinionin publik se sot, rreth orës 15:08 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Bokshiq të komunës së Klinës.”

Policia e Kosovës, me të pranuar informatën, menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kuptuar se një person ishte i plagosur me armë zjarri.

Viktima është dërguar për në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor, mirëpo si pasojë e plagëve të rënda, viktima ka humbur jetën. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar nga Spitali Rajonal i Pejës.

Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes ka arrestuar personin e dyshuar, i cili “me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë i dyshuar për veprën penale ‘Vrasje e Rëndë'”.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet relevante policore, Prokurori i Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, të cilët kanë sekuestruar armën e cila dyshohet që është përdorur në rast dhe prova të tjera relevante.”

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“Prokuroria Themelore në Pejë, në koordinim me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë, do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të këtij rasti.”

“Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shteti do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit të dyshuar në Gjykatën Themelore të Pejës, përkatësisht në Departamentin e Krimeve të Rënda.”- thotë Prokuroria./Pejanefokus.net.

Lajmi paraprak rreth rastit në link: https://pejanefokus.net/3353-2/

LEXO EDHE: