Organizimi i atmosferës së fundvitit në Pejë këtë vit (2025), po zhvillohet në dy lokacione të ndara, ndryshe nga vitet e kaluara kur aktivitetet festive mbaheshin vetëm në qendër të sheshit të qytetit.
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS), kanë sqaruar për Peja në Fokus se disa biznese të njohura të gastronomisë në qytet, kanë kërkuar dhe përfituar mbështetje për organizimin e atmosferës festive përmes kontratës dyvjeçare që Komuna e Pejës ka me operatorin, i cili kujdeset për organizimin e ngjarjeve dhe festave me rëndësi në komunë.

Si rezultat, rreth 10 biznese janë pozicionuar me shtëpiza në sheshin “Jusuf Gërvalla”, afër teatrit të qytetit, ku është vendosur edhe një binë për performanca muzikore të këngëtarëve gjatë mbrëmjeve festive, ndërsa për organizimin do të kujdesen vet këto biznese.

Nga ana tjetër, mbi 40 biznese fillestare kanë siguruar me mjete vetanake shtëpizat dhe kanë ndërtuar një binë të improvizuar për muzikë në qendër të sheshit të qytetit.

Ata kanë bërë të ditur se, pas marrjes së pëlqimit nga Komuna e Pejës, kanë paguar nga 342 euro për vendosjen e secilën shtëpizë, ndonëse shtëpizat i kanë siguruar vet.
Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit nuk do të ketë panair të produkteve artizanale.

Dekorimi i sheshit të qytetit ka nisur në fund të muajit nëntor 2025 nga Korporata Devolli, ndërsa më pas janë zhvilluar aktivitete festive për nder të festave të nëntorit dhe atyre të fundvitit.
Organizimi ka nisur më 12 dhjetor 2025 dhe pritet të zgjasë rreth 20 ditë./Pejanefokus.net.
