Biblioteka Rajonale “Azem Shkreli” në Pejë vijon të organizojë aktivitete që promovojnë dijen, kulturën dhe gjuhën shqipe, pavarësisht sfidave që përballen për funksionimin e saj. Drejtoresha Shengyl Kelmendi Gashi thekson rëndësinë e bibliotekës si vend i dijes dhe i kulturës, duke përdorur çdo aktivitet për të lidhur lexuesit, sidomos të rinjtë, me gjuhën dhe librin.
Në një intervistë për gazetarin Valdrin Daci tek Klan Kosova, Gashi tha:
“Dita e Gjuhës Amtare është një datë që na kujton se gjuha është identitet, histori dhe themeli kryesor i kulturës sonë. Ky është një aktivitet që përfaqëson një thirrje për të ruajtur dhe kultivuar gjuhën Shqipe, si identitet kulturor. Misioni i bibliotekës është ta mbrojë dhe promovojë librin, gjuhën me aktivitete të ndryshme që do ta gjallërojë dhe forcojë lidhjen e të rinjëve me gjuhën amtare.”
Përsa i përket interesimit për leximin, drejtoresha njoftoi:
“Biblioteka ka rreth 4 mijë lexues të regjistruar. Që nga viti 2024 antarësimi është falas, mjafton që të interesuarit ta kenë kopjen e letërnjoftimit. Por është edhe kultura e kthimit të librit e cila duhet të ngritet si vetëdije tek ne, pasi që nuk është e zhvilluar aq sa duhet, pasi që po kemi rastu kur duhet të i thërasim në telefon.”
Gashi komentoi edhe mbështetjen institucionale nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Komunën e Pejës:
“Shumë pak ka mbështetje institucionale. Megjithatë jo vetëm biblioteka e qytetit të Pejës, por edhe të gjitha bibliotekat e tjera. Por ngritja e një vendi, shtetbërja është prej bibliotekës. Unë do të kisha thënë që duhet të kushtohet më shumë mbështetja e bibliotekave në Kosovë, për ngritje më të mirë në vendin tonë.”
Drejtoresha përfundoi me një mesazh për lexuesit dhe vizitorët:
“Gjuha Amtare është pasuria jonë e çmuar. Ta duam dhe të flasim drejt, e kjo bëhet përmes leximit. Atëherë biblioteka është këtu, vendi i dijes, vendi i portes, andaj i ftojmë të vinë dhe ta vizitojnë atë.”/Pejanefokus.net.
Në link emisioni i plotë i intervistes: https://www.youtube.com/watch?v=CguUM2yVDtM
