Në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, “Çarshia e vjetër” e Pejës ka marrë Planin e Menaxhimit 2025–2035, që do të udhëheqë restaurimin, zhvillimin urban dhe promovimin e saj si destinacion kulturor dhe turistik.
Këtë e ka bërë të ditur ish-ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në një postim tek rrjeti i tij social.
“Në mandatin tonë, në trashëgiminë kulturore të Pejës është investuar si asnjëherë më parë. Kemi restauruar asete të shumta, ndër to: kullën e Fazli Buqollit, kullën e Sheremetit, shkollën e parë shqipe, dyqanin e Musa Goranit, mullirin e Çal Malushit, konakun e Mahmut Begollëve, kullën e Goskajve, ndërsa shumë të tjera janë në proces restaurimi. Tash kemi miratuar Planin e Menaxhimit për Çarshinë e Vjetër, një dokument strategjik që orienton zhvillimin urban, promovon turizmin kulturor dhe përmirëson cilësinë e jetës së vizitorëve dhe qytetarëve.”- shkruan mes tjerash Çeku.
Sipas tij, dokumenti është hartuar nga profesionistët e QRTK Pejë, në bashkëpunim me Komunën e Pejës, organizata lokale dhe ekspertë ndërkombëtarë. Gjatë vitit 2026 do të vazhdojnë investimet në Çarshinë e Vjetër./Pejanefokus.net.
Linku ku ndodhet dokumenti zyrtar: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=114914&fbclid=IwVERDUAPFARFleHRuA2FlbQIxMABzcnRjBmFwcF9pZAwzNTA2ODU1MzE3MjgAAR6Vf65aeObF8HDvD3dSw-JDl4j5k1KFV2quKiD2l_AVZmc-qW55mSrCLmbK7Q_aem_Z10scxikMqrNpcUit9FLtw
