Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Pejë, nën dyshimin për veprën penale “Deklarim i rremë”.
Sipas raportit të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), respektivisht Njësisë Rajonale në Pejë, të dyshuarit F.SH. (2000) dhe A.K. (2005) dyshohet se më 13 janar 2026, në Qendrën për Pajisje me Dokumente të Identifikimit (QPD) në Pejë, kanë deklaruar rrejshëm duke garantuar për identitetin e një personi tjetër, A.R. (2003).
Hetimet janë zhvilluar me autorizim të gjykatës dhe në koordinim me prokurorin kompetent. Pas sigurimit të dëshmive, të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve, ndërsa me vendim të prokurorit janë ndaluar në mbajtje policore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale dhe garantimin e ligjshmërisë dhe llogaridhënies./Pejanefokus.net.
