(E plotësuar) Ndeshja e dytë e çerekfinales së kthimit mes KB Pejës dhe Bashkimit, e zhvilluar të enjten më 22 janar në palestrën e sporteve “Karagaçi”, përfundoi 70:73 në favor të mysafirëve nga Prizreni.
Në njoftimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës – FBK thuhet shkurt: “Këtu përfundon rrugëtimi i Pejanëve në Kupën e Kosovës. Go+ Peja mposhtet në shtëpi nga Bashkimi me rezultat të ngushtë pas një ndeshje mjaftë të fortë.”

Ndërkaq, KB Peja u shpreh shkurt:“Përfundon ndeshja në Karagaçi, eliminohemi nga Kupa e Kosovës.”
Por më shumë se gjithçka, të dëshpëruar ishin tifozët e grupit “U.C.F”, të cilët mbajtën fjalën për ta përkrahur klubin, duke krijuar atmosferë të zjarrtë gjatë gjithë ndeshjes. Më pas, ata reaguan edhe me një mesazh të fortë në faqen e tyre në Facebook:

“Sot prap po përsëritet e njëjta histori që po ndodh tash e sa vite.
Nuk osht problemi humbja. Problemi osht kryesia që po e mbyt klubin dalëngadalë.
Na e dimë mirë kush po e shkatërron këtë klub. Jo lojtarët. Jo fanella.
Po ata që rrinë n’zyra e s’dinë as çka o Peja.
Ju s’e dini çka osht kjo fanellë.
S’e dini çka osht tribina.
S’e dini çka osht me e pas Pejën n’zemër.
KB Peja nuk osht biznes i juaji, nuk osht CV, nuk osht reklamë. Ky klub osht i qytetit.
Na kemi duru boll.
Kemi pa paaftësi, arrogancë, heshtje, gënjeshtra.
Kemi pa se si viti shkon e Peja mbetet e njejta.
Me neve nuk luhet.
Me emrin e Pejës nuk luhet.
Me historinë nuk luhet.
Lojtarët lujn n’fushë, përgjegjësia osht n’zyre.
Dhe aty po dështon gjithçka.
Mos e ngatërroni durimin me dobësi.
Na s’jemi kundër klubit, na jemi mburoja e tij.
Nëse s’dini me e udhëheqë Pejën, mos e mbani peng. Se Peja osht ma e madhe se secili prej jush.
UNITED CITY FIRM
KB PEJA – Bashkimi
22-01-2026”
Ky reagim i tifozëve pasqyron frustrimin e thellë përtej humbjes, duke nxjerrë në pah tensionin mes klubit dhe udhëheqësisë së tij. Një mesazh i qartë: Peja është më e madhe se çdo individ, dhe durimi i tifozëve ka kufi.

Ndryshe, ndeshja u ndëpre përreth një orë në fund teksa publiku u dëbua nga salla, për shkak të hudhjeve në parket, të gjesendeve dhe fishekzjarreve./Pejanefokus.net.
