Drejtoresha e re sjell zhvillime të reja në shkollën “Skender Çeku” në Qyshk të Pejës

Që nga muaji shtator i vitit 2025, shkolla fillore e mesme e ulët “Skender Çeku”, në fshatin Qyshk të Komunës së Pejës, drejtohet nga Drenusha Radoniqi. Pas marrjes së mandatit, në këtë institucion arsimor janë shënuar disa zhvillime të reja.

Një nga vendimet e fundit të nxjerra nga drejtoria ka të bëjë me ndalimin e telefonave mobil për nxënësit gjatë qëndrimit në shkollë, duke paralajmëruar masa të rrepta për mosrespektim.

“Ndalohen rreptësisht telefonat mobil gjatë qëndrimit në shkollë. Çdo nxënës është i obliguar që telefonin ta dorëzojë në dollapin e caktuar, në hyrje të shkollës, para fillimit të mësimit. Në rast se nxënësi kapet me telefon brenda ambienteve të shkollës, ai do t’i konfiskohet dhe nuk do t’i kthehet deri në fund të vitit shkollor,” thuhet në vendimin e publikuar nga drejtoria.

Sipas njoftimit, vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë dhe është i detyrueshëm për të gjithë nxënësit.

E kontaktuar nga redaksia e Peja në Fokus, drejtoresha Radoniqi ka sqaruar se ky vendim është marrë për shkak se telefonat po përdoren edhe gjatë orëve të mësimit, duke ndikuar negativisht në përqendrimin e nxënësve, në procesin e të nxënit dhe në rezultatet mësimore, si dhe për shkak të përdorimit të aplikacioneve të palejuara.

Po ashtu, drejtoresha Radoniqi ka bërë të ditur ekskluzivisht për Peja në Fokus se kjo shkollë, e cila numëron mbi 200 nxënës nga parashkollori deri në klasën e pestë, do të përfitojë 15 kondicionerë si donacion nga një kompani private që operon edhe në Pejë, në funksion të përmirësimit të kushteve për nxënësit dhe stafin arsimor./Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: