Trupi i pajetë i një personi është gjetur të shtunën e 7 marsit 2026 në zonën e quajtur “Mali i Popit”, në Istog.
Fillimisht dyshohej se bëhej fjalë për Beqir Shaqir Malokun (69) nga fshati Saradran i Istogut, i cili ishte raportuar i zhdukur që nga gushti i vitit 2025, ndërsa më pas lajmi u konfirmua edhe nga familja.
Vëllai i tij, Isa Maloku, konfirmoi për Peja në Fokus lajmin e hidhur për vdekjen e tij.
“Me dhimbje të thellë njoftojmë familjarët, miqtë dhe dashamirët se sot na u shuan shpresat për ta gjetur vëllanë tonë të dashur të gjallë. Sot morëm lajmin e hidhur, me buzë në vaj e me zemër të thyer, se në moshën 69-vjeçare na la Beqir Shaqir Maloku nga fshati Saradran, komuna Istog”, thuhet në njoftimin e familjes.
Sipas informacioneve fillestare, trupi i pajetë është gjetur rreth 100 metra larg vendit ku më parë ishin gjetur syzet e tij.
Po ashtu raportohet se trupin e pajetë e kanë gjetur vëllai i tij, Isa Maloku, së bashku me motrën.
Lidhur me rastin ka folur edhe zëdhënësi i Policisë Rajonale në Pejë, Fadil Gashi, i cili konfirmoi se policia, zjarrfikësit dhe forenzika kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur procedurat e nevojshme hetimore.
Ai bëri të ditur se njësitë përkatëse, së bashku me ekipet hetimore, janë duke u marrë me rastin për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për obduksion, sipas urdhrit të organeve kompetente.
Ndryshe, për gjetjen e tij për një kohë ishin angazhuar edhe njësi të FSK-së.
Sipas njoftimit të familjes, varrimi i të ndjerit bëhet nesër (8 mars) në ora 16:00, në varrezat e fshatit Saradran, komuna e Istogut./Pejanefokus.net.
