Goditet korrupsioni, 7 persona përfundojnë në pranga

Një aksion i madh kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare është zhvilluar sot në rajonin e Prishtinës, nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ku janë arrestuar shtatë persona të dyshuar, të kapur në flagrancë gjatë shkëmbimit të parave. Me vendim të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Sipas autoriteteve, operacioni është rezultat i një periudhe të gjatë monitorimi dhe hetimesh me masa të veçanta hetimore, të realizuara nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale.

Gjatë aksionit janë sekuestruar rreth 20 mijë euro para të gatshme, armë, bizhuteri, dokumente të ndryshme, pajisje elektronike, si dhe tri vetura, të cilat dyshohet se lidhen me veprimtarinë kriminale.

Rasti lidhet me dyshime për korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhënie dhe marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit, mashtrim dhe armëmbajtje pa leje. Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar./Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: