Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në vendin e punës në fshatin Strellc i Ulët të Deçanit, teksa një tjetër punëtor ka mbetur i lënduar.
Rasti është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili bëri të ditur se në këtë ngjarje ka mbetur i lënduar edhe një punëtor tjetër.
“Sot rreth orës 14:05, Policia e Kosovës është njoftuar për një aksident që ka ndodhur në një punëtori (sharrë) në fshatin Strellc i Ulët, ku dy punëtorë kanë pësuar lëndime si pasojë e rënies së disa dërrasave. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës. Megjithatë, pas një kohe të shkurtër, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e njërit prej tyre. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente, të cilat po merren me hetimin e rrethanave të rastit”, deklaroi Gashi.
Autoritetet përkatëse kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat që çuan në këtë ngjarje tragjike./Pejanefokus.net.
