Prishtinë, 17 dhjetor 2025 – Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka reaguar pas lajmeve që qarkullojnë në media dhe portale për temperatura deri –20°C dhe reshje bore këtë fundvit.
Sipas IHMK-së: “Ditëve të fundit nëpër media dhe portale është shpërndarë lajmi që ky fund vit do të shoqërohet me temperatura ekstreme minimale deri –20°C dhe me borë, të cilat kanë paraqitur konfuzion dhe shqetësime.”
Instituti thekson se: “Çdo subjekt apo individ tjetër që bënë njoftim, parashikim apo paralajmërim për motin, fillimisht është i jashtëligjshëm e më pas jo profesional dhe shkencërisht i pa drejtë.”
IHMK kujton se parashikimet zyrtare të motit dhe paralajmërimet e hershme për fatkeqësitë natyrore hidrometeorologjike janë ekskluzivitet i këtij institucioni, sipas Ligjit Nr. 06/L-035. Parashikimet afatshkurtra 1–3 ditore kanë besueshmëri 80–90%, ndërsa ato afatgjata mbi 7–10 ditë japin vetëm tendenca dhe jo kushte konkrete.
Instituti fton qytetarët që informacionin për motin ta marrin vetëm nga IHMK, për të shmangur konfuzionin dhe shqetësimet e panevojshme.
Burimi: Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, reagim publik, 17 dhjetor 2025./Pejanefokus.net.
