Kompleksi i Mullirit të Haxhi Zekës në Pejë është një monument i trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore, i cili u ndërtua në gjysmën e dytë të shekullit XIX nga Haxhi Zeka, figurë emblematike e qytetit dhe atdhetar i shquar.
Në të kaluarën, kompleksi përbëhej nga mulliri, kulla, konaku, depoja, hambari dhe ahuri i kuajve. Sot kanë mbetur mulliri dhe hambari, të cilët janë restauruar pas dëmtimeve gjatë viteve ’90.

Mulliri ishte objekti i parë industrial i këtij lloji në Kosovë, me mekanizma bluarjeje nga Austro-Hungaria, fillimisht me ujë, më pas me energji elektrike.

Hambari, i vendosur pranë hyrjes kryesore, shërbente si bujtinë për tregtarët. Pas restaurimit në vitin 2015, ai përdoret nga organizata lokale për promovimin e turizmit dhe kulturës.
Ky kompleks është një nga thesaret e Pejës, që ruan vlera historike, arkitekturore dhe kulturore. /Pejanefokus.net/Image Of Peja/
