Policia e Pejës ka gjobitur përfaqësuesit e biznesit të mishtores “Egzoni”, në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, për shkak se ata në oborrin e banesave kolektive përdorën ujë, duke shkaktuar ngrica të theksuara.
Këto ngrica krijonin rrezik serioz për lëndimin e këmbësorëve dhe për shkaktimin e aksidenteve me vetura.

Përmes komunikatës së saj më 12 janar 2026, Policia e Pejës kishte paralajmëruar bizneset e qytetit se do të ndërmerren masa ligjore ndaj atyre që shkaktojnë ngrica në rrugët publike dhe se do të bashkëpunonte me organet komunale për kontroll dhe zbatim të ligjit.
https://pejanefokus.net/policia-paralajmeron-pronaret-e-autolarjeve-per-rrezikun-e-ngricave/

Më 20 janar 2026, banorët e ndërtesave kolektive raportuan rastin tek Policia e Pejës, duke treguar se biznesi në fjalë, që sipas tyre përveç se po përdorë ilegalisht oborrin kolektiv për interesa biznesore, ai tash edhe kishte shkaktuar ngrica që rrezikojnë sigurinë e komunitetit.
Peja në Fokus, pasi ka marr raportimin nga ana e qytetarëve ka adresuar pyetje tek Zyra për Media e Policisë së Pejës, nga ku kanë konfirmuar se pas emailit ka vepruar zyrtarisht.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ka ekzaminuar situatën dhe konfirmoi për Peja në Fokus se masat janë marrë dhe kundërvajtësi është gjobitur sipas ligjit.

Por, problemi me këtë biznes nuk është i ri, pasi që banorët tregojnë se qysh në korrik të vitit 2023 kishin dërguar peticion me shkrim tek Komuna e Pejës, duke kërkuar ndërhyrje për të parandaluar shfrytëzimin e oborrit të tyre dhe uzurpimin e hapësirave kolektive, përfshirë hyrjen dhe parkingun e banesave.

Për tre vite, banorët nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Komuna.

Banorët gjithashtu kanë raportuar që kompania “Ambienti” depërton me kamionët e saj në oborrin e tyre për shërbime të këtij biznesi, duke lëshuar mbetje të mishërave dhe duke kërcënuar higjienën dhe sigurinë e zonës.
Pas veprimit të Policisë dhe shqiptuarjes së gjobës, banorët thonë se nuk do të ndalen dhe do të ndjekin të gjitha veprimet institucionale për të mbrojtur hapësirat e tyre dhe sigurinë e komunitetit.
Ky rast nxjerr në pah rëndësinë e respektimit të hapësirave kolektive dhe veprimeve të shpejta institucionale për të parandaluar rrezikun ndaj qytetarëve, veçanërisht gjatë motit të acartë./Pejanefokus.net.
